FOTO ILUSTRUESE

Zbardhet ngjarja e mbrëmjes së kaluar në Korçë ku një 39-vjeçar i identifikuar si Gergji Babu u gjet i djegur brenda në një automjet tip “Mercedes Benz”.

Pista zyrtare e hetimeve është ajo e vetëvrasjes. Kjo pasi, sipas policisë, 39-vjeçari i ka vënë flakën qëllimisht makinës, pasi e kishte spërkatur me benzinë dhe për rrjedhojë është shkrumbuar brenda saj.

Viktima kishte marrë një sasi benzine në një bidon plastik në një karburant të qytetit dhe pasi ka dalë në periferi ka parkuar automjetin. Aty ai ka bërë aktin e vetëvrasjes, duke spërkatur makinën nga brenda dhe më pas i ka vënë flakën.

Njoftimi i Policisë së Korçës:

Në vijim të informacionit paraprak datë 20.10.2018, ku në lagjen nr 1, u gjet i djegur mjeti tip “Benz”, me targa AA 911 HJ, në pronësi të shtetasit Gj.B, 39 vjeç, banues në Korçë informojmë se:

Nga veprimet e para hetimore, rezulton se ky shtetas ka marrë një sasi lënde djegëse (benzinë), në një bidon plastik, në një nga karburantet e qytetit dhe dyshohet se i ka vënë flakën vetes brenda mjetit, ku për pasojë janë djegur plotësisht mjeti si edhe ky i fundit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për “Shkaktim i vetvrasjes” parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal.