Një person me inicialet Sh.Z është arrestuar në Gjilan, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur dhe konfiskuar 5 kg e 155 gramë substancë narkotike e llojit heroinë. Lidhur me rastin Policia po kërkon edhe një shtetas të Serbisë, i cili për momentin gjendet në arrati.

Policia thotë se pasi ka pranuar informacionin se në një shtëpi në rrugën “Gazmend Zajmi” në Gjilan, do të bëhet shitblerje e substancave narkotike, në konsultim me Prokurorin e Shtetit nga Prokuroria Themelore në Gjilan,

është kontrolluar një shtëpi, në bodrumin e së cilës janë gjetur 5 kg. e 155 gramë substancë narkotike e llojit heroinë, e cila ka qenë e paketuar në 5 paketime, e vendosur në një valixhe sportive.

“Lidhur me rastin është arrestuar personi i dyshuar SH .Z, shtetas nga kosova. Pas hetimeve fillestare është arritur të kuptohet se në rast është i përfshirë edhe një person shtetas i Serbisë i cili për momentin gjendet në arrati”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Substancat narkotike janë sekuestruar, ndërsa personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë sipas urdhrit të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore për Krime të Rënda në Gjilan.

Ndërkohë Gjykata Themelore në Gjilan miratoi kërkesën e Prokurorisë Themelorë duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin Sh.Z.

Artikulli paraprakAKSIDENT I RËNDË, MES 5 TË PLAGOSURVE, EDHE NJË SHQIPTAR
Artikulli tjetërDY SHOFERË PA PATENTË PËRPLASEN MES TYRE, NJË I ARRESTUAR NJË I PLAGOSUR