Rasti i nxënëses nga Drenasi, e cila kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj për dhunim seksual, e në vend të ndihmës ka hasur, sipas dyshimeve, në një tjetër dhunues, policin hetues të rastit.

Pas intervistimit të të dyshuarit, ai është arrestuar nga Inspektorati Policor dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “dhunimit” dhe “keqpërdorimit seksual” duke keqpërdorur pozitën, autoritetin dhe profesionin.

Drejtori i kësaj shkolle, Valdet Istogu, tha se as nxënësja e as familjarët e saj nuk kanë deklaruar te stafi shkollor asnjë nga këto shqetësime, përveç se te organet e rendit.

Për historinë me arsimtarin e saj, Shkëlzen Xhekaj, vajza e mitur kishte raportuar në Polici, por i kishte tërhequr më vonë deklaratat. Pas publikimit të rastit të saj, mësimdhënësi u suspendua për të dytën herë, deri në një vendim të Gjykatës.

Mësimdhënësi dyshohet se për gati dy vjet kishte kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, e cila më pas dyshohet se u përdhunua dhe u detyrua të abortoj nga polici hetues i këtij rasti, Vesel Veseli, tashmë i arrestuar.

Qytetarët e Drenasit shprehën indinjatën e tyre për këtë rast.

Ndërkohë, Iniciativa e Të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë mbajti protestë para Stacionit Qendror të Policisë në Prishtinë. Kjo protestë, me moton ‘Përdhunuesit në burg’, u organizua me qëllim të dënimit dhe kundërshtimit të dhunës sistematike brenda institucioneve të Kosovës ndaj grave.

Ndryshe, Kodi Penal i Kosovës thotë se për dhunim në rrethana që përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit dhe të moshës, dënimi për këtë vepër është 5 deri në 15 vjet burgim.

Artikulli paraprakPROTESTË PARA BASHKISË: RAMA E VELIAJ TË IKIN NGA SHQIPËRIA
Artikulli tjetërKUVENDI RRËZON DEKRETIN E METËS PËR NOTERINË, MIRATON KADASTRËN