SIPAS REZULTATEVE TE PARA, PRESIDENTI DO TË MARRË SHUMICËN .

Partitë pro-perëndimore, në Ukrainë sipas rezultateve paraprake të “exit polleve”, pritet të dominojnë parlamentin e ri të Kievit. Blloku i kryesuar nga presidenti Petro Poroshenko pritet të fitojë shumicën, ndërsa Partia Fronit Popullor i kryeministrit ArsenyYatsenyuk, pritet të renditet si forca e dytë. Sipas “exit-polleve”, edhe 2 parti pro-Europiane, kanë shfaqur një performancë pozitive. Kështu, blloku i presidentit Poroshenko, i quajtur ndryshe blloku pro liderve perëndimorë, pritet të fitojë sipas listave paraprake 23% të votave; Fronti Popullor i Yatseniuk 21.3%,  ndërsa partitë e tjera më pak se 10%. Kjo përqindja do të ishte e mjaftueshme për t’i dhënë Poroshenko-s një mandat të fortë, duke i hapur rrugë edhe zbatimit të planit të tij për t’i dhënë fund konfliktit në lindje të Ukrainës dhe për të vijuar më pas me reformat demokratike në vend. Zgjedhjet u mbajtën nën masa të rrepta sigurie, për të parandaluar ndonjë sulm nga rebelët. Rreth 3 milionë qytetarë në lindje të vendit, në Donjetsk dhe Luhansk nuk morën pjesë në zgjedhje. As 1.8 milionë banorët e rajonit të aneksuar në mars nga Rusia, Krimeja, nuk votuan. Sipas Komisionit Shtetëror të  Zgjedhjeve, në votimet e kësaj të diele, pjesëmarrja ishte relativisht e ulët, 40%.

[iframe width=”300″ height=”510″ src=”//www.youtube.com/embed/Nf7h3qjCDEI?list=UU0aBDfsVqdL53NOE5eMXAUw” frameborder=”0″ allowfullscreen ]