Brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë goditur nga stuhia tropikale “Isaia”, që ka sjellë me vete përmbytje dhe stuhi ere.

Rrymat e forta të ajrit me shpejtësi 140 kilometra në orë formuan mbrëmjen e së hënës një uragan të kategorisë së parë që përshkoi bregdetin e Karolinës Veriore.

Autoritetet paralajmëruan banorët në zonat që lagen prej oqeaneve të përgatiten për dallgë deti deri 1 metër e gjysmë të larta dhe reshje deri 20 centimetra teksa vorbulla lëviz më në veri.

Intensiteti i stuhisë pritet të shtrihet edhe në shtetet e Uashingtonit, Filadelfias dhe Nju-Jorkut.

“Me afrimin e stuhisë, presim që intensiteti i saj të rritet. Duhet të jemi në vigjilencë sepse do kemi kushte të rrezikshme moti në gjithë shtetin tonë. Shirat e rrëmbyeshëm, përmbytjet mund të zhytin shumë shpejt në ujë zonat e ulëta,” informoi guvernatori i shtetit të Karolinës Veriore.

Në shtetin e Floridës, stuhia “Isaia” i kurseu zonat e banuara ndërsa fundjavën e kaluar rrymat ajrore kaluan në Republikën Domenikane dhe Puerto Rikon, duke lënë pas dy të vrarë.

Godina të shembura, dritare të thyera dhe pastrimi i baltës në infrastrukturën rrugore mobilizoi edhe banorët e bregut lindor të Barakoas në Kubë.

“Nga raportimet paraprake mësojmë se disa banesa janë rrënuar plotësisht. Të prekura janë edhe gjashtë godina të përkohshme dhe komplekse apartamentesh.”

Qytetarët në zonat e rrezikuara të Amerikës janë udhëzuar të ndjekin urdhrat e evakuimit, ndërsa për ata që shfaqin simptomat të kovidit të ri në këtë periudhë pandemie, janë rezervuar ambiente të posaçme karantinimi.

“Isaia” është stuhia e nëntë e fortë që godet këtë vit Shtetet e Bashkuara.