Uragani Irma është uragani më i fortë që pritet të godasë Amerikën ditët në vazhdim.

Vetëm një orë më parë, Irma lëvizi nga Karaibet drejt Kubës, e cila është pranë Floridës. Ambasadorja shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu drejtua Facebook-ut për të informuar shtetasit shqiptarë banorë në Florida e më tej. Edhe pse janë njoftuar të evakuohen, pak shqiptarë kanë lëvizur nga shtëpitë e tyre. Shumica besojnë se mund t’i bëjnë vetë ballë situatës.

“Një uragan tjetër po kërcënon SHBA-në! këtë herë pjesa jugore e shtetit të Floridas është në qendër të vëmendjes. Autoritetet amerikane po i qëndrojnë shumë afër popullsisë së zonave që parashikohet të preken nga Uragani Irma, dhe një pjesë të madhe të popullsisë i është kërkuar të evakuohet. Gjatë këtyre ditëve jamë munduar të qëndroj në lidhje për informacione me përfaqësuesit e organizatave shqiptare në shtetin e Floridës.

Ka pak shqiptarë që duket se kanë lëvizur nga banesat e tyre, pjesa më e madhe besojnë që mund t’i bëjnë ballë situatës aty ku janë. Ju bëj thirrje që të ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale dhe njoftimet e rifreskuara që dalin nga ora në orë me parashikimet e lëvizjes së uraganit,” shkruan Faber.