Me urdhër të kryeprokurores Arta Marku, Prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim intensiv lidhur me tjetërsimin e pronave në zonën e Durrësit.

Kryesisht bëhet fjalë për toka truall dhe sipërfaqe të konsiderueshme në bregdet ndërsa objekt i këtyre hetimeve mësohet se janë institucionet e Hipotekës dhe të ALUIZNI-t.

Pjesa ku më shumë janë përqendruar hetimet është zona e Gjirit të Lalzit, e cila në fakt është zona ku posedojnë pasuri të patundshme zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, biznesmenë, pasanikë dhe VIP-a. Por ende nuk dihet se cilat janë zonat që janë tjetërsuar nga zyrtarët që janë vendosur në hetim.

Në Gjirin e Lalzit ka pasur përplasje interesash. Kujtojmë gjyqtarin e vrarë në Vlorë disa vjet më pare, familja e të cilit është trashëgimtare e një sipërfaqe të madhe toke atje. Po ashtu një biznesmen libanez i quajtur Faad Mitri është dhunuar pak kohë më parë, ndërsa gjatë asaj periudhe po kryente ndërtime në zonën e Gjirit të Lalzit.

Zona të tjera, për të cilat janë denoncuar disa raste abuzimesh me pronat, janë edhe në Hamallaj, Rrushkull, Ishëm si dhe në zonat përreth. Sikurse bëjnë me dije të njëjtat burime,

prokuroria ka tentuar të marrë në pyetje punonjës të institucioneve të lartpërmendura, me qëllim zbardhjen e abuzimeve që janë bërë me këto toka aq të lakmuara, por një pjesë e mirë e tyre nuk janë mundur të gjenden.

Bëhet fjalë për rreth 30 punonjës të Hipotekës dhe ALUIZNI-t në periudhave të ndryshme, të cilët janë vënë në shënjestër nga organi i akuzës. Policia e Durrësit bën me dije se pranë këtij institucioni ende nuk kanë mbërritur urdhër-arreste,

megjithatë, hetimet që po zhvillohen në mënyrë intensive janë shtrira në kohë, por edhe gjeografikisht.

Dyshohet se zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Lartë të Hipotekës dhe ALUIZNI-t kanë tjetërsuar një sërë pronash dhe truall në zonën e Gjirit të Lalzit, Hamallaj, etj,

me qëllim dhënien e tyre personave të tretë. Ajo që përflitet ka të bëjë më shumë me sipërfaqe toke në bregdet të dhëna me dokumente jo të rregullta.

Kujtojmë që pak ditë më parë u arrestua kryebashkiaku i Lezhës, Frrokaj i akuzuar për tjetërsim pronash së bashku me 12 zyrtarë të tjerë, por më pas u lirua dhe po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa 11 zyrtarë janë në kërkim.