Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka nxjerrë një urdhër sipas të cilit do të kalojë në filtër punën e çdo policie vendore në vend në lidhje me parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale.

Në rast të konstatimit të shkeljeve apo parregullsive në policitë vendore do të ketë penalitete për drejtuesit e tyre. Sipas urdhrit të Veliut, kontrolli në policitë vendore do të jetë pa afat. Pjesë e grupit të punës do të jetë një drejtues policie dhe anëtarë shefa sektorësh të Drejtorisë së Përgjithshme.

Drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit si: Eduart Merkaj, Gjovalin Loka, Albert Dervishi, Arben Dashi, Sokol Bizhga etj., do të shpërndahen në drejtoritë vendore si edhe komisariate dhe do të kontrollojnë punën e të gjithë strukturës, nga punonjësi më i thjeshtë i policisë deri tek drejtori i policisë vendore.

Monitorimi i punës së Policisë së Tiranës i është besuar drejtorit të Analizës së Informacionit kriminal, Arben Dashi. Ndërsa për Policinë e Durrësit, përgjegjës është drejtori i Rendit publik, Albert Dervishaj. Qarqet problematike për kriminalitetin si Shkodra dhe Vlora i janë besuar Gjovalin Lokës dhe Aida Hajnës.

Ndërkohë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në orën 17:00 të pasdites së sotme ka zhvilluar një takim te Prokuroria e Krimeve të Rënda me drejtuesen e këtij institucioni, Donika Prela.

E ndërsa nuk ka ende shumë detaje nga tema e diskutimit mes Veliut dhe Prelës, takimi vjen pas operacioneve të fundit nga policia në bashkëpunim me prokurorinë në Shkodër, Krujë, por edhe në qytete të tjera për të prangosur ‘të fortët’ që dyshohet se janë përfshirë në ngjarje kriminale.

Artikulli paraprakPRANGOSET HAJDUTI I DYQANEVE, 6 VJEDHJE NË NJË MUAJ
Artikulli tjetër8 MUAJ NË ARRATI, SHQIPTARI ARRESTOHET SAPO ZBRET NGA AVIONI