Rusia dhe Uruguai kryesojnë grupin A të kampionatit Botëror të Rusisë pas fitores në ndeshjet e para. E ndërsa Rusia shkatërroi dje Arabinë Saudite, sot ishte radha e Uruguait për të mposhtur Egjiptin. Ndeshja Egjipt-Uruguai

Ka mjaftuar një gol në minutën e 89-të të takimit nga Gimenez, i ka dhënë fitoren e parë në Grupin A kombëtares së Uruguait, teksa ka mposhtur 1-0 Egjiptin.

Dita e dytë e Botërorit ka nisur me Egjipt-Uruguai, e mbyllur 0-0 në pjesën e parë. Gjithsesi, momentet kyçe nuk kanë munguar, teksa në 45 minutat e para të këtij takimi kanë ardhur simulimi i parë qesharak i Kupës së Botës dhe gafa e parë.

Në fillim ka qenë lojtari i Egjiptit, Abdallah Said, i cili është rrëzuar pa asnjë arsye, i paprekur nga kundërshtari, me arbitrin që e ka paralajmëruar të mos e bëjë më një gjë të tillë.

Më pas ka ardhur edhe gafa, që ka patur për autor yllin e Barcelona-s, Luis Suarez, i cili ka humbur një rast të pastër me portën e boshatisur.

Asnjë minutë për Salah, që nuk është preferuar nga trajneri Cuper. Pas një shtyllë dhe disa rasteve të njëpasnjëshme, ka ardhur goli nga Gimenez, që gjen cepin e portës me kokë.

Tashmë Rusia dhe Uruguai kryesojnë grupin me nga 3 pikë, ndërsa Arabia dhe Egjipti janë në kuotën e zero pikë pas ndeshjes së parë.

Për t’u theksuar në këtë ndeshjes ishte fakti që interesimi ishte mjaft i vogël, teksa stadiumi nuk ishte mbushur.