Kjo e premte mund të ishte kthyer në e zezë për prindërit e një fëmije që ndjek kopshtin “Naim Babameto” në Spitallë të Durrësit.

Vajza rreth 4 vjeçe ra në pusete që qëndron e hapur në mes të oborrit. Burimet thanë se ajo ndodhej në oborr bashkë me fëmijët e tjerë, ndërsa e pranishme ka qenë edhe kujdestarja.

Ndonëse edukatorët janë munduar ta nxjerrin me mjete rrethanore, vendimtare për shpëtimin e së miturës ka qenë ndërhyrja e një djali të ri.

I riu ka kapërcyer murin e shkollës dhe ka hyrë brenda pusetës, aty ku qëndronte e kapur pas hekurave vajza e mitur.

Puseta ndonëse e vogël ishte shumë pranë lodrave ku luajnë fëmijët e kopshtit dhe askush nuk ishte kujtuar për rrezikun që iu kanosej të vegjëlve.

Drejtori i institucionit nuk ka pranuar të flasë për këtë ngjarje të rëndë, ndërsa larg kameras mësuesit thonë se ky nuk është rasti i parë.

Sipas tyre kjo ka qenë një ngjarje e paralajmëruar, pasi pusetat e hapura janë ekzistente prej një kohe të gjatë dhe askush nuk ka marrë asnjë masë për mbylljen e tyre.
Pas denoncimit në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, ekspertët e të cilës kanë nisur hetimet.