Nëna e vajzës së abuzuar nga babai, i arrestuar në janar të këtij viti, e ka pasur mbështetjen nga shteti që në momentin kur rasti është bërë i njohur për autoritetet.

Ndryshe nga sa u tha në një kronikë në emision investigativ, Ministria e Shëndetësisë, thotë se nënës dhe vajzës së abuzuar nga i ati, i është dhënë mbështetje sociale, me psikologë dhe me një banesë me qira në qytetin e Vlorës.

Pas publikimit  të rrëfimit të nënës, e cila gjithashtu ishte dhunuar nga bashkëshorti, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Ministria e Shëndetësisë thonë se rasti i nënës dhe i vajzës së abuzuar nga i ati është ndjekur nga strukturat e mbrojtjes së fëmijës dhe familjes, prej muajit Janar 2019.
Reagimi
Menjëherë pas identifikimit të rastit, nëna është mbështetur me asistencë ligjore për të bërë denoncimin në polici. Pas arrestimit të babait dhe konfirmimit të marrë nga mjekësia ligjore, rasti është referuar pranë Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve në Bashkinë Vlorë, ku është mbledhur grupi multidisiplinar.

E mitura ka patur dhe do të vijojë të ketë mbështetje nga psikologë, fillimisht në një qendër përkujdesi social dhe më pas ka vijuar me mbështetje psikologjike të specializuar.

Pas vlerësimit të rastit është marrë vendim që familjes t’i ofrohej mbështetje për banesë me qira në qytetin e Vlorës, për të patur mundësinë për shërbime të dedikuara në Bashkinë e Vlorës.

Gjatë kësaj kohe është siguruar apartamenti dhe nëna me fëmijët transferohen në Vlorë dhe nëpërmjet bashkëpunimit me organizatat jo qeveritare partnere është mundësuar mbulimi i qerasë si dhe është siguruar mbështetje financiare për jetesën e familjes.

Familja do të marrë ndihmë ekonomike nga Bashkia Vlorë si dhe do të mundësohet banesë sociale.

Ditën e hënë nisin procedurat e transferimit të gjendjes civile, transferimi i shkollës për fëmijët, aplikimi për ndihmë ekonomike dhe ndërmjetësimi për punësim për nënën.

Rasti do të vijojë të ndiqet nga Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës në vijimësi, në bashkëpunim me të gjitha strukturat qendrore dhe lokale dhe i bën thirrje medias,

të tregojë kujdes për mbrojtjen e fëmijëve dhe mosidentifikimin e tyre, pasi është një dëm i dyfishtë psikologjik që i shkaktohet fëmijëve në situatë të vështirë.