Të gjithë duhet të bëjnë vaksinën kundër fruthit. Ky është apeli që vjen nga Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër, Astrit Beci. Ky i fundit, shprehet se nuk duhet të ketë askush frikë, vaksina e fruthit nuk shkakton autizmin.

Sipas Becit, kjo vaksinë aplikohet ndërkombëtarisht dhe nuk duhet cilësuar si një rrezik. Shkodra ka qenë shumë pak e prekur nga fruthi këtë sezon të rrezikshëm të fillim vitit 2018, çfarë dëshmon edhe njëherë se vaksinimi ka funksionuar plotësisht.

Sipas Becit, në Shkodër ka patur një sensibilizim të madh të popullatës dhe për këtë arsye, këtë periudhë kemi patur fare pak raste të prekjes me sëmundjen e fruthit të njerëzve.

Në vitet e fundit ka patur mjaft raste ankesash nga prindërit, të cilët kanë dyshuar se vaksina e fruthit shkakton autizëm.

E gjithë kjo ka sjell në jo pak raste irritim të popullatës. Edhe pse njoftimet kanë qenë periodike nga ISSH apo DSHP, frika ka qenë e pranishme në popullatë.