Që prej së enjtes Irani është mbërthyer nga protesta masive në qytetet kryesore të vendit. Protestat nisën në qytetin veri-lindor të Mashadit, i dyti për nga popullsia në Iran, por u përhapën menjëherë edhe në qytete të tjera. Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugët e qyteteve për të protestuar kundër korrupsionit dhe rritjes së çmimeve, por nga ana tjetër, autoritetet iraniane akuzojnë opozitën dhe fuqitë e huaja se janë pas këtyre manifestimeve që kanë si qëllim destabilizimin e vendit.

Në kundërpërgjigje të protestave kundër pushtetit, këtë të shtunë në kryeqytetin Teheran qeveria organizoi një kundër-protestë, me turma të mëdha njerëzish që brohorisnin pro liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Vala e protestave në Iran ka ngjallur edhe reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, presidenti Trump akuzoi sërish autoritetet iraniane për korruspion dhe për financim të terrorizmit.

Populli duhet të ketë të drejtën e tij të shprehet. Bota po ju vëzhgon, tha Trump.