Nga gjiri i popullit kanë dalë shumë doke e zakone, të cilat rrëfejnë në vetvete zhvillimin e jetës së shqiptarëve në të kaluarën. E sot, kur vëmendja ndaj këtyre përvojave është gjithnjë dhe më e paktë, për këto vlera të kulturës sonë popullore, që dikur shpalosnin vlera patriotike dhe krenarinë e fisnikërinë e trojeve tonë, të Alpeve, duhet vënë dorë sa nuk është vonë.

“Kcimi i Tropojës”, ndryshe “Vallja e Tropojës” është një nga katër dukurit e përzgjedhura nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Jomatëriale, për të vijuar rrugën udhëtimin, si “Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit, në UNESCO”. Koreografi Skënder Haklaj dhe studiuesja Rovenca Vata rrëfejnë vlerat e këtij kcimi.

“Nuk ka familje, që nuk ka dëshirë që fëmijët e tyre të kërcejnë. Është trashëgimi brezash. Ne trajtojmë amanetet e virtuozëve, që na i kanë lënë trashëgimi. Por në Tropojë nuk është vetëm një kërcim, çdo virtuoz ka shprehjen e vet, të lidhur me jetën. Kërcimi i Tropojës ka lind edhe është zhvilluar në shumëllojshmërinë e vet, epik edhe legjendar”, thotë Haklaj.

Studiuesja Vata shprehet se dëshira e kahershme e qenies njerëzore për t’u shkëputur nga toka apo për të fluturuar, është e kahershme. Prandaj në vetvete ky kërcim shpreh dashurinë, dhimbjen edhe sensualitetin

“Unë jam rritur me kcimin e Tropojës, di se çdo të thotë rënia e tupanit. Është një pasuri shpirtërore, që duhet të ruhet në UNESCO, dhe duhet të jemi të gjithë artdashësit edhe Shqipëria e Veriut në një mendje për këtë”, tregon Vata.  

Ata na rrëfejnë “Kcimi i Tropojës” karakterizohen nga interpretimi i lirë dhe me tupan dhe veshjet që ruhet ende ndër breza, si ritual i banorëve në zonat e Shqipërisë së Veriut

“Nëse veshjes i mungon një element, duket që nuk funksionon diçka. Këmisha, rruazat, shamia, brezi ka ardhur në një zhvillim, edhe pse pjesa burimore është ruajtur. Ndërsa,  për veshjen vitet e fundit po shkohet tek burimorja, shprehet Vata.

Sa i përket lashtësisë së valles, koreografi e cilëson mijëravjeçare.

 “Është mijëravjeçare. Jemi shumë optimistë. Kjo dosje jam e i bindur, që do të pranohet në UNESCO se i përket kombit, por edhe bota ka nis që ta përkrahë. Është formacioni i lirshëm, që bën këdo ta kërcejë”.

Dosja e “Kcimit të Tropojës” për në UNESCO është në fazën e plotësimit të formularit, i cili do të dorëzohet në muajin mars 2021 për në UNESCO.