Lëkundjet e tërmetit në disa prej qyteteve të Shqipërisë kanë vijuar edhe në ditën e dytë. Pas goditjeve të forta të 4 korrikut ashtu siç u paralajmërua ka patur sërish lëkundje të cilat kanë frikësuar qytetarët edhe në ditën e dytë.

Nga mesnata dhe gjatë ditës ka patur 6 lëkundje të tjera me forcë jo të njëjtë. Epiqendra e këtyre tërmeteve vijojnë të jenë në detin Adriatik afër Gjirit të Lalëzit.

Lëkundja e parë pas mesnate ka qenë me magnitudë 3.4 të shkallës Rihter me thellësi 15 km. Lëkundja e dytë ka qenë me magnitudë 3.9 e shkallës Rihter tek kepi i Rodonit me thellësi 42 km.

Më pas kanë qenë edhe tre lëkundje tjera duke sjellë sërish panik tek qytetarët, kryesisht në Durrës dhe Tiranë ndërsa lëkundje ka patur edhe në plazhin e Velipojës në zonën e Rrjollit.

Këto tërmete janë vazhdimësi e atij të një dite më parë me magnitudë 5.2 e shkallës Rihter, më e forta që pas vitit 1969 që përfshiu Shkodrën në atë kohë.

Sizmiologët janë shprehur se në total në Shqipëri për dy ditë janë regjistruar 300 tërmete ndërsa nuk përjashtohen lëkundje të tjera me intensitet më të vogël.

Në ditën e dytë tërmeti më i fortë është regjistruar në orën 2:09 të mëngjesit ndërsa lëkundjet e fundit kanë qenë rreth orës 4:20 të mëngjesit.

Sërish nuk ka të lënduar në njerëz por vetëm dëme materiale kryesisht në Durrës. Fshati Hamallaj në Durrës sipas institutit të Gjeoshkencave mbetet aktive duke bërë që banorët atje të jenë tërë kohën në panik.

Tërmeti i ditës së parë ka përfshirë qytete si Durrësi, Tirana, Shkodra, Kruja, Vora, bashkë me Fierin, Elbasanin dhe Vlorën.

Artikulli paraprakBELTOJË, INAUGUROHET RRUGA E VARREZAVE
Artikulli tjetërTË FITOSH NË BASTE APO TË HUMBASËSH FAMILJEN?