Fushë-Arrëz- Një 15-vjeçare ka ndërruar jëtë gjatë pasdites së sotme në fshatin Berishë, dyshohet se shkaqet janë nga fruthi.

Ajo po transportohej nga zona e largët për në spital kur ka ndërruar jetë. Viktima pati vështiresi në transport pasi zona e thellë me terren malor ishte e mbuluar nga bora.

Edhe dy pjestarë të tjerë të familjes, vëllai dhe motra, më të vegjël, janë prekur nga fruthi, të cilët janë transportuar me helikopter drejt kryeqytetit.

Ky është rasti i parë që është evidentuar me sëmundjen e fruthit e cila dyshohet që ka sjellë edhe rëndimin e gjendjes shëndetësore të 15-vjeçares duke shkaktuar edhe vdekjen e saj.

Është kërkuar të transportohet me urgjencë por për fat të keq nuk i ka shpëtuar vdekjes.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes është dërguar helikopteri i FA për të transportuar me urgjencë dy pjestarët e tjerë të familjës së viktimës, përkatësisht vëllai dhe motra në moshë më të vogël drejt QSUT.

Fëmijët tashmë kanë mbërritur në ambientet e QSUT dhe po ju nënshtrohen kontrolleve të duhura. Ende nuk ka informacione rreth gjendjes shëndësore të tyre.

Fruthi është një sëmundje infektive që prek kryesisht fëmijët. Ai shkaktohet nga një lloj virusi i quajtur paramyxovirus. Ai përhapet nga një fëmijë tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtitjes dhe ndonjëherë puthjes.

Në Shqipëri është rritur ndjeshëm numri i personave të prekur nga fruthi, deri tani numri ka shkuar në 162. Ky ishte rasti i parë me sëmundjen e fruthit në qarkun e Shkodrës, sot është shënuar viktima e pestë në Shqipëri nga kjo sëmundje.