Veleçiku nga skuadra e pretendimeve tashmë rrezikon rënien në Kategorinë e Dytë.

Koplikasit ndeshjen shumë të rëndësishme me Burrelin e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” e humbën me rezultatin 0-1. Pjesa e parë mbyllet 0-0 ndërsa në fund të pjesës së dytë Hyseni për Burrelin i jep golin e avantazhit miqve duke shtangur koplikasit.

Në minutat e fundit të lojës Hyseni për Burrelin merr kartonin e dytë të verdhë dhe largohet me karton të kuq ndërsa nuk mungojnë as momentet e tensionit mes lojtarëve.

Veleçiku me këtë humbje tashmë rrezikon ndjeshëm duke qenë se kampionati ka ardhur në fund. Pas ndeshjes trajneri i Burrelit shkodrani Elvis Plori e quajti veten babai i Kategorisë së Parë dhe në mesazhin e tij tha se futbolli luhet me zemër dhe jo me laps.

Trajneri i Veleçikut Besnik Duli ndjen keqardhje për këtë humbje ndërsa një faturë ia la edhe arbitrave të ndeshjes duke i cilësuar si të njëanshëm.

Para ndeshjes që Veleçiku tashmë do të ketë më Shën Kollin në transfertë trajneri Duli është thuajse i dorëzuar duke ditur vështirësitë dhe presionet që vijnë tek ajo fushë.

Veleçiku do të tentojë në mundësitë e fundit për të qëndruar në Kategorinë e Parë edhe pse tashmë këtë duhet ta bëjë duke fituar ndeshjen e mbijetesës në fund me skuadrën e dytë që renditet në grupin e jugut si e vetmja mundësi.