Veleçiku ka marrë një humbje edhe në javën e tretë në Kategorinë e Parë të futbollit teksa është mundur brenda në shtëpi nga Kastrioti me rezultatin 0-1.

Krutanëve i ka mjaftuar një gol në pjesën e parë me Bardhin që i dha avantazhin ekipit të tij në minutën e 35′ për t’u larguar me tri pikë të rëndësishme nga kjo përballje.

Veleçiku me këtë humbje futet në një krizë në këtë fillim kampionati sepse ka 0 pikë në tri ndeshje të luajtura, gjë e cila ka shqetësuar trajnerin e koplikasve Besnik Duli i cili për këtë disfatë ngarkon me përgjegjësi arbitrat për gjykim të njëanshëm.

Tekniku Duli thotë se trajnerët qëndrojnë me valixhe në duar dhe lë të kuptohet se nëse është nevoja është i gatshëm për t’u larguar nga koplikasit.

Trajneri i Kastriotit Ramazan Ndreu shpreson që ekipi i tij të vijojë me rezultate pozitive.
Veleçiku ka pësuar disa ndryshime të mëdha lojtarësh duke larguar disa dhe marrë disa të tjerë ndërsa ekipi ende nuk po del në lojën e pritur nga stafi teknik dhe drejtuesit duke e patur të vështirë objektivin e mbijetesës të paktën në këtë fillim kampionati.