Plazhi i Velipojës është nga më të bukurit dhe më të frekuentuarit në vend gjatë stinës së verës, por pamja e tij sot është e trishtueshme.Dallgët kanë nxjerrë në plazh një sasi të konsiderueshme mbetjesh urbane.

Situata e mbetjeve në plazhin e Velipojës edhe këtë vit vazhdon që të jetë një shqetësim. Ashtu si vitin e kaluar bregu i detit por edhe zona të mëdha të rërës janë të mbushura me mbetjet që sjell deti dhe i nxjerr gradualisht në sipërfaqe. Ky fenomen ka nisur që të jetë një problem serioz kryesisht vitet e fundit.

Sasitë e mbetjeve që sjell deti janë shtuar ndjeshëm në 3-4 vitet e fundit. Më shqetësuese është tendenca në rritje në çdo vit që kalon.

Bregu i detit të Velipojë dhe pjesa e rërës mbushen me mbetjet e detit për shkak se tonelata me mbeturina hidhen në brigjet e lumenjve, bien brenda tyre dhe më pas përfundojnë në grykëderdhjen e Bunës në plazhin e Velipojës.

Në këtë mënyrë këto sasi mbeturinash që sjellin lumenjtë në det, mbushin bregun dhe rërën. I njëjti fenomen ashtu si vitin e kaluar po përsëritet sërish edhe këtë vit.

Përveç plazhit të Velipojës, këto sasi të mbetjeve përfundojnë edhe në anën tjetër në plazhin e Ulqinit në shtetin fqinj të Malit të Zi duke qenë se i ndajnë vetëm disa metra përmes kufirit ujor.

Vitet e fundit një alarm për këtë fenomen e ka dhënë edhe Kroacia duke qenë se bregdeti kroat po ashtu ndotet nga qindra tonelata që mbërrijnë atje nga ujërat e vendeve të ballkanit.

Edhe pse situata vjen e përkeqësohet nga viti në vit ende nuk ka asnjë lloj masa për të parandaluar këtë fenomen që ndoshta shumë shpejt rrezikon të kthehet edhe në një katastrofë natyrore.Nëse në lumenj do vijojë të lejohet hedhja e mbeturinave atëherë vitet e ardhshme ky problem do vijë gjithnjë duke u zgjeruar.