Policia e Shkodrës ka zbarkuar në plazhin e Velipojës duke ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike të zëna forcërisht nga persona të ndryshëm me shezlonge.

Aksioni është paralajmëruar nga zëvendëskryeministrja Senida Mesi dhe kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi më përpara.

Mbi 150 forca policie të përbërë nga grupi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Shqiponja dhe shërbime të tjera të komisariatit të policisë vendore në orët e vona kanë mbërritur në Velipojë duke nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike.

Janë përdorur mbi 12 kamionë për të ngarkuar shezlonget. Policia, me në krye drejtorin Vehbi Bushati ka mbërritur në të gjitha ato pika që kishin zënë hapësirat në mënyrë të paligjshme.

Janë rreth 500 shezlonge që janë sekuestruar nga forcat e policisë në disa parcela të ndryshme në plazhin e Velipojës ndërsa disa prej pronarëve e kanë liruar vetë zonën e rërës.

Me disa prej pronarëve forcat e policisë kanë debatuar por më pas ka vijuar normalisht puna dhe policia ka mundësuar lirimin e hapësirave publike të zëna forcërisht.

Tashmë duhet pritur nëse këto hapësira do të jenë të lirshme për pushuesit apo të zihen sërish.

Kjo është hera e parë që të gjitha institucionet bashkërendojnë punën për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Velipojës duke qenë se situata ka qenë e njëjtë edhe vitet e tjera por askush nuk ka ndërhyrë.