Këshilli i Ministrave ka vendosur që familjet që preken nga zbatimi i projektit “Unaza e Madhe” në segmentin “Komuna e Parisit-Rruga e Kavajës” do të përfitojnë pagim pa afat të qerasë së plotë në banesat sociale në Shkozë,

nga momenti i mbarimit të afatit të përcaktuar deri në sistemimin me strehim në një nga programet që parashikon ligji për strehimin.

Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar pikën 1 të vendimit nr 230, datë 13 mars 2015, ku thuhej se familjet e prekura nga projekti përfitonin pagesën e qirasë për një periudhë dyvjeçare dhe ka shtuar një pikë te re, ku cilësohet se financimi i qirasë për familjet përfituese do të mbulohet 50% nga buxheti i shtetit dhe 50% nga buxheti i Bashkisë Tiranë.

Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe për zbatimin e tij janë ngarkuar ministria përgjegjëse për strehimin, ministria përgjegjëse për Infrastrukturën dhe Energjinë, Enti Kombëtar i Banesave, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Tiranë

VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 30 e 33, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Pas lidhjes 2/2 shtohet lidhja 2/3 me listën emërore të subjekteve që do të trajtohen me qira, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Lista emërore sipas lidhjes 2/3 dhe lista emërore e familjeve që nuk janë paraqitur për tërheqjen e qirasë të verifikohen nga Enti Kombëtar i Banesave dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me njësinë administrative që mbulon zonën.

2. Në pikën 1, fjalët “… përfitojnë pagesën e qirasë për një periudhë dyvjeçare, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.” zëvendësohen me “…përfitojnë nga programi social i strehimit pagesën e plotë të qirasë, nga momenti i mbarimit të afatit të përcaktuar deri në sistemimin me strehim në një nga programet që parashikon ligji për strehimin.”.

3. Pika 1/1 shfuqizohet
4. Pas pikës 1 shtohen pikat 1/2 e 1/3, me këtë përmbajtje: “1/2. Financimi i qirasë për familjet përfituese të mbulohet 50% nga buxheti i shtetit, që akordohet për strehimin, 50% nga buxheti i Bashkisë Tiranë dhe zbatimi të bëhet nga Enti Kombëtar i Banesave.

Për vitin 2018, familjet që kanë përfituar bonusin e qirasë nga Bashkia Tiranë përfitojnë vetëm diferencën ndërmjet qirasë së vlerësuar nga EKB-ja me shumën e bonusit që kanë përfituar nga Bashkia Tiranë. 1/3. Financimi i qirasë të bëhet pas verifikimit nga Bashkia Tiranë të gjendjes ekonomike dhe sociale të familjes, sipas parashikimeve të ligjit për strehimin.”

5. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.
6. Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimi “Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për strehimin …”.

7. Ngarkohen ministria përgjegjëse për strehimin, ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë, Enti Kombëtar i Banesave, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.