Sezoni turistik rikthen sërish në Shkodër radhët e gjata të trafikut të automjeteve. Si çdo vit, një ndër pikat më të vështira është dalje e qytetit, nga rrethrrotullimi në Xhabije deri në afërsi të Bexhestenit.

Ndërkohë, e njëjta situatë paraqitet edhe në rrugë të ndryshme në brendësi të qytetit. Si gjithmonë,

aksi më i vështirë është nga rrethrrotullimi i ish-Degës deri në sheshin “Nënë Tereza”, duke e bërë thuajse të pakalueshme lëvizjen e automjeteve, sidomos përgjatë pikut të lëvizjeve.

Ndërkohë, në Shkodër nuk po gjejnë zgjidhje edhe autobusët, të cilët vijojnë të parkohen në qendër të qytetit, për shkak të mungesës së një terminali.

Situata është më problematike përgjatë fundjavave, periudhë kur një numër i madh turistësh i drejtohen Shkodrës.

Trafiku në Shkodër është një problematik që nuk po gjen zgjidhje prej vitesh tashmë. Vera është periudha kur një numër i madh emigrantësh dhe turistësh i drejtohen Kryeqendrës së veriut, duke e bërë një shqetësim për drejtuesit e automjeteve.

Shqetësuese situata mbetet edhe në dalje të lagjes “Rus”, ndërsa muajt korrik dhe gusht sjellin edhe problematikën më të madhe.