Një person është vetëvrarë paraditen e sotme në ambientet e paraburgimit të komisariatit të Kukësit, ndërsa policia jep një tjetër version për ngjarjen. Viktima është Medi Gjuni 49-vjeç.

Sipas drejtorisë së policisë së Kukësit, Gjuni u dërgua në spital se nuk ishte ndjerë mirë, pasi vuante nga epilepsia, ku ndërroi edhe jetë. 49-vjeçari ishte arrestuar në ditën e parë të Vitit të Ri për dhunë në familje pas denoncimit nga bashkëshortja.
Kjo ishte hera e dytë që Medi Gjuni arrestohej për dhunë në familje, pasi herën e parë ishte arrestuar dhe dënuar në datë 28 gusht 2016 po për dhunë ndaj gruas. E ndërsa trupi është transportuar për autopsi, grupi hetimor ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur ngjarjen.
Njoftimi i policisë së Kukësit
Sot, në orët e para të mëngjesit është konstatuar nga personeli i sherbimit në dhomat e paraburgimit shtetasi M.Gj, vjeç 49, banues në Kukës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Menjëherë është transportuar në spitalin e Kukës ku më pas ka gjetur vdekjen. Shtetasi M.Gj., është arrestuar më datë 1 janar 2019, për veprën penale “Dhuna në familje”, ku ka qenë i dënuar dhe më parë për të njejtën vepër penale. Shtetasi M.Gj. dyshohet se vuan nga sëmundja e epilepsisë. Grupi hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit po punon për përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe dokumentimin e ngjarjes.

PUBLICITET