Bllokohen në Morinë 42 krerë viça të ardhur nga Serbia. Mbahen në regjim karantinor me dyshimin se janë të prekur nga sëmundja. Ndërkohë në Hanin e Hotit bllokohen dhe kthehen në vendin e origjinës në Austri, 24 ton kripë me nivel më të ulët jodi se kufiri i lejuar.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokoi në Morinë 42 krerë viça të ardhur nga Serbia me dyshimin se mund të jenë me sëmundje.

“Nga kontrollet e ushtruara më datë 17 Maj 2019 rezulton se ngarkesa me kafshë të gjalla të ardhura nga Serbia (42 krerë viça për therje) në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë u kontrollua për përputhshmërinë me kërkesat ligjore për masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së Dermatozës Nodulare,

siç përcaktohen ne Urdhrin Nr. 526, date 20.10.2016. Referuar parashikimeve te këtij urdhri dhe në bashkëpunimi me shërbimin veterinar rajonal, AKU vendosi mbajtjen e këtyre kafshëve të gjalla në regjim karantinor (21 ditë) përpara se te futen në proces therje”, thuhet në njoftimin e AKU-së.

Po ashtu, u bllokuan 24 ton kripë e adhur nga Austria dhe u kthyen në vendin e origjinës, në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Gjatë kontrollit të dokumentacionit ka rezultuar se certifikata e analizës dhe etiketa e produktit, paraqesin nivelin e jodit më të ulët se kufiri i lejuar, sipas përcaktimeve ligjore (nivel jo me të ulët se 40 mg jod dhe jo me të lartë se 60 mg jod për kg kripë).

Kripa do të përdorej për konsum human dhe industrinë ushqimore në Shqipëri.