Një grup prej dhjetë personash përfunduan në prangat e karabinierëve në Busto Arsizio, në provincën e Vareses, nën akuzën e grabitjeve.

Personat e arrestuar, thuajse të gjithë nga Shqipëria, kishin kryer një sërë grabitjesh në disa kompani në rajonin midis Milanos dhe Vareses dhe me paratë e përfituara kryenin blerjen e lëndëve narkotike për t’i rishitur më pas.

Fitimet e vjedhjeve – sipas organit të akuzës – u riinvestuan për të financuar blerjen e drogës, pastaj lënda narkotike rishitej në tregun me pakicë.

Hetimi ndaj grupit sipas “La Republica”, kanë nisur në fillim të vitit 2016, pas një vjedhje të kryer në një kompani në Milano ku u vodhën 600 rrotulla pëlhure të çmuar me vlerë mijëra euro, pronari i të cilës ishte kërcënuar disa herë, madje edhe me armë.

Nga operacioni i koduar “Lecke” sipas mediave lokale italiane, është zbuluar se një pjesë e grupit zhvillonte biznes me anëtarë ‘të shquar’ të krimit të organizuar shqiptar në Itali.

Të arrestuarit janë transferuar në burgje të ndryshme në rajon. Gjatë kërkimeve u gjetën armë të ndryshme, midis të cilave edhe një pushkë dhe një shpatë.