Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, gjatë një vizite në Theth, pati një takim për rreth 90 minuta me banorët e zonës turistike ku u njoh me problematikat kryesore që pengojnë zhvillimin.

Ambasadorja përcjell mesazhe të forta për qeverinë, ku kërkon zgjidhjen urgjente të çështjes së pronës, rrugës dhe energjisë, si tre problematikat që pengojnë zhvillimin e turizmin e turizmit. E pyetur për luftën kundër kultivimit të kanabisit, diplomatja tha se është punuar fort dhe ka rezultate pozitive.

Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, në fund të mandatit në Shqipëri u ka dhënë një tjetër shembull krerëve të institucioneve qëndrore e lokale për trajtimin e problematikave të qytetarëve kudo qofshin.

E ngjitur në Theth për t’iu gëzuar bukurive natyrore, diplomatja pati një takim me banorët e zonës turistike, ku për më shumë se 1 orë e 30 minuta, larg vëmendjes së medias u njoh me shqetësimet e këtij komuniteti.

Mungesa e çertifikatave të pronësisë, rruga e amortizuar nga Qafa e Thores në brendësi të fshatit dhe mungesa e energjisë elektrike, ishin tre hallet kryesore që banorët e Thethit ndanë me Ambasadoren e BE.Zgjidhja e çështjes së pronës në Theth, për Ambasadoren është çështje urgjente.

Romana Vlahutin: “Roli i shtetit është thelbesor, këtë diskutuam edhe me banorët. Kryesorja dhe gjëja e parë që duhet zgjidhur, pasi ka mjaft sensitet është çeshtja e pronësisë. Që në hapat e parë kur parlamenti miratoi vite më parë ligjin 7501, banorët këtu ishin kundër dhe refuzuan ta zbatojnë.

Kjo pasi ata dijnë kufijtë e tokave të të parëve, pra e kanë të qartë kush, si dhe me kë janë fqinj. Eshtë emergjente kjo zgjidhje sepse ata nuk mund të përfitojnë nga asnjë grant i BE-së, si psh fondet IPARD. Por kjo është e rëndësishme edhe për investitorët që duan të vijnë këtu, pasi pa çertifikatë pronësie nuk mund të bësh asgjë”.

Thethi çdo vit pret disa mijëra turistë dhe është bërë imazh i Shqipërisë turistike në sytë e botës, por rruga për të shkuar atje dhe energjia e dobët elektrike, janë dy probleme të tjera për të cilat edhe ambasadorja Vlahutin thotë se kërkohet zgjidhje.
Romana Vlahutin: “Nga ana tjetër, infrastruktura është kryesore. Për 8 muaj rruga është e pakalueshme, pasi bllokohet nga dëbora, e 4 muaj të tjerë të duhet një makinë e mirë të vish, pasi është shumë e amortizuar.

Energjia elektrike është gjithashtu problem, rrjeti i amortizuar dhe luhatjet e tensionit. Voltazhi i ulët prish pajisjet, por së dyti pengon biznesin të zhvillohet siç duhet. Nje

rëzit këtu kanë ide të qarta si duan të punojnë, ta zhvillojnë këtë hapësirë, e të ruajnë tradicionalen, atë që kanë trashëguar e që është thesar i zonës. Pra nevojitet një ndihmë sa më parë. Qeveria, pushteti vendor duhet të krijojnë mundësi zhvillimi”.

Romana Vlahutin: “Kemi punuar shumë fort dhe të thuash shumë fort, është sërish të mos e theksosh sa duhet, luftën kundër kultivimit të kanabisit. Kemi rezultate pozitive. Koleget tanë Italian po monitorojnë situatën për vazhdimësinë.

Nga ana tjetër më duhet të ritheksoj se njerezve u duhet dhënë mundësia të jetojnë këtu, pasi zona ka kapacitete të ofrojë turizëm gjithevjetor. Kjo i ndihmon ata të ndërtojnë atë që kanë”.
Ambasadorja Vlahutin qëndron në Theth në kuadër të disa aktiviteteve festive me qëllim promovimin e zonës turistike.

Artikulli paraprakMINISTRI GJERMAN APEL POLITIKËS SHQIPTARE: MERRNI PËRGJEGJËSI, MOS RREZIKONI RRUGËN DREJT BE
Artikulli tjetërU DËNUA ME 10 VJET BURG NGA GJYKATA, ARRESTOHET PAS NJË VITI 38-VJEÇARI