Vlefshmëria e kartave të identitetit zgjatet deri më 31 dhjetor 2019.

Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë, Erjon Veliaj dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, të cilët ishin sot në zyrat e reja në Rrugën “Bardhyl”, të cilat u vijnë në ndihmë 120 mijë banorëve të Njësive 3 dhe 4.

“Do të kemi amendime ligjore, që pavarësisht nga data kur skadon karta në vitin 2019, skadimi final do të jetë 31 dhjetori i 2019-ës.

Do të thotë se për të gjithë ata që nuk e kanë me ngut, të cilëve karta u duhet për një a dy herë, si rasti i votimeve apo një dokument tjetër brenda vendit, vlefshmëria do të zgajtet deri në datën 31 dhjetor 2019.

Ky është një lajm i shkëlqyer për të ulur pak këtë presion dhe për ta shfrytëzuar gjithë vitin”, tha Veliaj.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj siguroi qytetarët se me kapacitetet e shtuara nuk do të kenë asnjë pengesë në marrjen në kohë të shërbimit të kërkuar.

“Është rezultat i një pune intensive që është bërë ditët e fundit, për të rritur kapacitetet e prodhimit për kartat e identitetit edhe në prag të zgjedhjeve,

por edhe për të përballuar fluksin e madh i cili lidhet me skadimin e një numri shumë të madh kartash, të cilat janë prodhuar pothuajse në të njëjtën kohë në vitin 2009.

Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Brendshme kanë ndërmarrë masa për të zgjeruar kapacitetet dhe për të përmirësuar kushtet e aplikimit”, nënvizoi Lleshaj.