Vllaznia e ka mbyllur merkaton me katër afrime në orët e fundit. Kështu, Martinez, Sosa, Sefa dhe Hadzibuliç janë lojtarët më të rinj që i bashkohen ekipit shkodran duke e çuar në 12 numrin e lojtarëve të afruar në merkaton e verës. Lëvizje të papritura nga drejtuesit e Vllaznisë, të cilët u munduan të plotësonin skuadrën me afrimin e këtyre katër futbollistëve.

Santiago Martinez është një lojtar uruguajan, i cili vjen nga ekipi i Montevideos dhe pasi qëndroi në provë disa ditë, bindi stafin teknik që ti ofronte një kontratë. Sebastian Sosa rikthehet edhe njëherë te ekipi i Vllaznisë. Sosa vjen në formën e huazimit nga ekipi i Empolit, ashtu siç erdhi sezonin e kaluar kur ekipi i Vllaznisë drejtohej nga kompania “Gea Sport”. Një kontratë të re kanë nënshkruar edhe dy mesfushorët, Jetmir Sefa dhe Semir Hadzibuliç. Sefa vjen nga ekipi i Tiranës ndërsa Hadzibuliç ka qenë pjesë e Mladostit. Më parë, mesfushori serb ka luajtur edhe për disa ekipe të kampionatit shqiptar, si: Apolonia, Gramozi dhe Besa e Kavajës. Vllaznia pak ditë më parë kë afruar dhe 8 futbollistë të tjerë, pikërisht, Cicmil, Paviçeviç, Arbri, Ahmeti, Lushtaku, Dragoijeviç, Haxhaj dhe sulmuesi nga Libani, Kdouh. Por, përveç 4 afrimeve në skuadër, shkodranët u refuzuan nga 3 lojtarë të tjerë. Franc Veliu, Hair Zeqiri dhe Kushtrim Lushtaku ishin objektivat e drejtuesve të Vllaznisë, por asnjëri prej tyre nuk u bë pjesë e këtij ekipi.Veliu u bashkua me ekipin e Kukësit. Ndërkohë Zeqiri e Lushtaku zgjodhën ekipin e Flamurtarit. Përsa i përket Selmanit, mesfushori shqiptaro-maqedonas që doli haptazi kundër drejtuesve të Vllaznisë pasi u mashtuar me nënshkrimin e kontratës, do të aktivizohet me ekipin e Renovës në Maqedoni. Tashmë, me përfundimin e merkatos pritet dalja në media e trajnerit Zmijani për të përcaktuar objektivat e sezonit të ri. Një gjë të tillë e ka premtuar vetë tekniku i shkodranëve.

PUBLICITET