Tek Vllaznia vazhdon eksodi i lojtarëve. Tashmë kuqebluve i kanë dhënë lamtumirën edhe tre futbollistë të tjerë. Kështu kanë konfirmuar largimet Ndriçim Shtubina, Renato Malota dhe Florind Bardulla ndërsa pranë largimit është edhe Gilman Lika. Shtubina njoftoi se tashmë sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Egnatias në Kategorinë e Parë.

Në një reagim në faqen e tij në facebook Shtubina thotë se askush nga drejtuesit e rinj të Vllaznisë nuk e ka kontakuar ndaj ka vendosur që të zgjedh një ekip tjetër.

“Nga sot jam lojtar i FK Egnatia. Falenderoj profesor Maganin dhe Presidentin e klubit bashkë me stafin që besuan tek aftësitë e mia. Shpresoj që të arrijmë objektivat drejt Kategorisë Superiore. Falenderoj Kryetaren e Bashkisë Voltana Ademi dhe Administratorin e Vllaznisë Suad Lici, falenderoj edhe tifozat e Vllaznisë për mbështetjen.

Të paktën për kaq vite që kam në futboll edhe në Shkodër për këto dy ngjyra kuqeblu meritoj pak respekt nga këto drejtusat e rinj sepse nuk kam asnje kontakt nga ata por gjithsesi Vllazninë e dua dhe është në zemrën time gjithmonë. Shpresoj që Vllaznia të shkoj sa më lart”.

Ndërkohë largimin nga Vllaznia e ka konfirmuar edhe mbrojtësi Malota i cili ka firmosur për ekipin e Laçit. Ja se çfarë shkruan Malota:

“Përshëndetje të gjithëve. Nga sot nuk do jem më pjesë e Vllaznisë. Ndjehem mirë që në momentet më të vështira nuk e braktisa kurrë Vllazninë edhe pse ofertat nuk më kanë munguar asnjëherë.

Dua të falenderoj Kryetaren e Bashkisë Shkodër për respektin që më ka dhënë gjithashu administratorin Lici që ka qenë korrekt dhe transparent me ne lojtarët dhe në fund dua të bëj një falenderim për tifozët shkodran që më kanë bërë të ndjehem si të isha një djalë Shkodre. Këtu mbyllet aventura ime me Vllazninë. Ju uroj shumë suksese dhe gjithmonë do keni një vend të veçantë në zemreë time”.

Ndërkohë mesfushori Florind Bardulla pritet që të jetë pjesë e Shën Kollit në Kategorinë e Parë duke u larguar edhe ai nga Vllaznia ndërsa drejt largimit është edhe kapiteni Gilman Lika që me shumë gjasa mund të firmosë për një ekip kosovar për shkak të një oferte të mirë që ka marrë atje.

Më përpara janë larguar portieri Sherri, Hygor, Zhunjor, Gligorov ndërsa drejt largimit mund të jetë edhe portiere tjetër Efremov. Deri më tani i vetmi afrim është sulmuesi Ardit Hoxhaj. Vllaznisë me gjithë këto largime do t’i duhet që të ribëjë edhe njëherë ekipin dhe kjo nuk është aspak e lehtë ndërsa një ditë më parë e konfirmoi edhe vetë drejtori sportiv Matko Djarmati.