LOJTARI KA KLAUZOLË VETËM JASHTË SHQIPËRISË, LIHET I LIRË BEKIM DEMA. Vllaznia i ka kujtuar kontratën futbollistit shkodranë Gilman Lika. Ky I fundit pasi është lakuar në opinionin sportiv si alternativë për të kaluar tek disa ekipe të tjera në Shqipëri, kanë reaguar drejtuesit e skuadrës shkodrane. Mesfushori në fjalë iu rikthye klubit mëmë në merkaton e janarit.

Në atë moment Vllaznia ia hapi dyert, në një moment të vështirë për të, duke e aktivizuar dhe ofruar kontratë për më shumë se sezonin e kaluar. Kërkojnë që mesfushori të respektojë marrëveshjen e nënshkruar dhe të mos flirtojë me klube të tjera. Nëse e bën këtë të fundit, natyrisht që ka pengesa ligjore. Klubi shkodran nuk e ka ndërmend të lëshojë pe në këtë drejtim, edhe për faktin se pa u zgjedhur kryebashkiaku i ri i Shkodrës nuk mund të veprojnë në asnjë drejtim, as trajneri, as drejtori sportiv, por as bordi drejtues. Do të jetë kryeqytetari i parë i Shkodrës, me organet e tjera të zgjedhura, ato që do të vendosin për të ardhmen e Vllaznisë. Natyrisht, edhe të Gilman Likës. Ndoshta do të jetë vonë, por përderisa Vllaznia varet direkt nga bashkia, është e detyruar të presë. Ndërkohë që mesfushori Bekim Dema është lënë i lirë. Ai ka patur një kontratë dyvjeçare me klubin, e cila ishte e vlefshme edhe për sezonin 2015-16, por në të ka patur edhe një pikë ku shkruhej se pas përfundimit të sezonit të parë, palët do të kenë të drejtë të negociojnë për vazhdimin apo jo të kontratës. Trajneri Luan Zmijani mësohet se nuk e ka patur në plane si titullar për sezonin që vjen gjë e cila ka bërë që edhe vetë lojtari të kërkojë për t’u larguar. Largimi i Demës në një farë mënyre përkon me ardhjen e mundshme të një tjetër mesfushori shkodran, Abaz Karakaçit, por ky i fundit ndonëse ditën e hënë do të dalë në stërvitje me ekipin, ende nuk dihet saktësisht nëse do firmosë apo jo me kuqeblutë