Kryetarja e bashkisë Voltana Ademi ka vendosur që në emër të Asamblesë të Vllaznia sh.a funksion që e ka Këshilli Bashkiak i Shkodrës të emërojë anëtarët e ri të Këshillit Mbikqyrës ose bordit drejtues siç njihet ndryshe. Star Plus Televizion ka arritur që të sigurojë shkresën zyrtare të depozituar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve ku kryetarja e bashkisë Ademi në emër të Asamblesë të Vllaznia sh.a që është Këshilli Bashkiak të emërojë bordin e ri.

Drejtues i bordit të ri do të vijojë që të jetë Shpëtim Quku ndërsa ka një ndryshim në radhët e anëtarëve. Pjesë e bordit janë të gjithë emra që vijnë direkt nga sporti dhe dy prej tyre emra të mëdhenj të futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për Astrit Hafizin dhe Ramazan Rragamin. Ndërkohë dy anëtarët e tjerë janë Presidenti i ekipit të femrave të V llaznisë Lazër Matija dhe pedagogu dhe ish gjimnasti Benjamin Nako.

Në fakt sipas ligjit të 2015-ës të cilit i është referuar bashkia Shkodër dhe kryetarja e bashkisë ka të drejtë që të emërojë bordet drejtuese të sh.a-ve me aksione 100% nga bashkia por jo të shprehet në emër të Asamblesë të Vllaznia sh.a i cili është një organ veçmas dhe këtë funksion praktikisht e ka Këshilli Bashkiak i Shkodrës.

I takon juristëve të vendosin nëse kjo është një shkelje apo jo duke qenë se kjo nuk është e parashikuar por në të njëjtën kohë edhe Këshillit Bashkiak të Shkodrës të thotë fjalën e tij duke qenë se kryebashkiakja është shprehur në emër të Asamblesë për emërimin e bordit të ri të Vllaznia sh.a.

Ndërkohë për disa muaj me radhë pati një përplasje deklaratash e vendimesh mes bashkisë Shkodër dhe Këshillit Bashkiak lidhur me bordin e ri. Këshilli i kërkonte bashkisë të emëronte bordin e ri si e vetmja mënyrë për të kaluar buxhetin apo miratuar pasqyrat financiare gjë të cilën bashkia nuk e bëri duke detyruar Këshillin Bashkiak që me funksionin e Asamblesë të miratojë një bord të vetin me disa emra të propozuar.

Bordi i dalë nga Asambleja e Vllaznia sh.a nuk u mor parasysh për të ardhur deri tek ky moment kur kryebashkiakja emëron bordin e ri por duke u shprehur në emër të Asamblesë gjë e cila nuk është e parashikuar në ligjin e 2015-ës. Sa i përket emrit të Astrit Hafizit, është një emër i nderuar por jeton dhe punon në Tiranë ashtu siç Ramazan Rragami prej një kohe të gjatë ndodhej në Kanada pranë fëmijëve të tij dhe duhet pritur nëse do të vendosë të qëndrojë në Shkodër si anëtar i bordit të Vllaznia sh.a bashkë me pjesë tjetër.