DREJTUESIT NUK PAGUAJNË DOT KOSTON E LARTË TË “QEMAL STAFËS”. Vllaznia do të luajë ditën e shtunë ndaj Laçit, në stadiumin Kastrioti në Krujë. Ky është vendimi më i fundit, ndonse u prit që skuadra shkodrane ti zhvillonte dy takimet e saj në stadiumin “Qemal Stafa”. Ky ndryshim ka ardhur në ditët e fundit, teksa drejtuesit e Vllaznisë pas bisedës që kanë patur me drejtues të stadiumit nuk kanë rënë dakort për anën financiare.

Siç mësohet kostoja ka qenë shumë e lartë për dy ndeshjet që do të zhvillonin kuqelbutë. Mësohet se këto dy takime mund të kushtonin 8 mln lekë të vjetra, shifër kjo që nuk u përballuar nga Vllaznia. Nisur nga kjo pas disa diskutimeve është rënë dakort që ndeshjet të zhvillohen në qytetin e Krujës në stadiumin “Kastrioti”. Natyrisht edhe për tifozët shkodranë të cilët kanë dëshirë të jenë në mbështetje të skuadrës do të jetë një kosto më e ulët për të udhëtuar drejt Krujës. Ndaj ditën e shtunë, Vllaznia do të luajë ndaj Laçit, një ndeshje që nuk pritet të ketë surpriza, por shkodranët do të kërkojnë të paktën një rezultat pozitiv. Ndërkohë në shkodër, në stadiumin “Loro Boriçi” do të punohet dhe për disa ditë me studimet sizmike nga kompani të ndryshme të cilat do të bëjnë studimet e duhura, për ti hapur rrugë më pas ndërtimit të tribunës qëndrore.