Kompania “Gea Sport” e cila kohë më parë kishte presidencën e Vllaznisë tashmë vazhdon që të jetë një ferr i vërtetë për klubin shkodran. Klubi Vllaznia kohët e fundit është në një kaos të vërtetë ekonomik. Nuk janë shqetësim vetëm detyrimet e larta që sa vijnë e shtohen çdo muaj që kalon për kuqeblutë.

Sipas burimeve në të gjitha bankat e nivelit të dytë çdo lëvizje parash për llogari të klubit Vllaznia është bllokuar totalisht. Momentalisht llogaritë bankare të Vllaznisë janë të ngrira dhe ky klub nuk mund të tërheq asnjë qindarkë për shkak të bllokimi që i ka bërë zyra e përmbarit.

Nëse deri më tani klubi Vllaznia vetëm përmes një prej bankave ka mundur që të marrë paratë për pagat e stafit, lojtarëve dhe administratës tashmë nuk mund ta bëjë një gjë të tillë as për dhënien e pagave si shkak i bllokimit të llogarive nga zyra përmbarimore.

Në këtë mënyrë tashmë është totalisht e paqartë se edhe sa muaj klubi Vllaznia nuk do të mund të marrë asnjë lek në asnjë prej bankave të nivelit të dytë.

Sipas burimeve zyra përmbarimore përmes edhe shkresave i ka bërë të ditur bankave të nivelit të dytë se në rast se guxojnë që të lejojnë klubin Vllaznia që të bëjë lëvizje parash

në llogaritë bankare atëherë mund të gjobiten dhë në këtë mënyrë bankat i kanë bërë të ditur drejtuesve të Vllaznisë se është e pamundur për të lëvruar para qoftë edhe për pagat.

Tek kuqeblutë janë bërë rreth 5-6 muaj pa marrë pagat mujore. Për ekipin e parë një pjesë janë të prapambetura që nga sezoni i kaluar ndërsa edhe për këtë sezon ende nuk kanë marrë asnjë qindarkë.

Po ashtu akademia Vllaznia prej shumë muajsh trajnerët dhe drejtuesit nuk kanë marrë pagat e tyre ndërsa në vështirësi të madhe janë edhe punonjësit e fushës të stadiumit “Loro Boriçi” të cilët po ashtu kanë 6 muaj që nuk paguhen pavarësisht punës që bëjnë dhe asaj page të vogël që kanë.

Për të mos mjaftuar askush nuk di të thotë se deri kur do të zgjasë ngrirja e llogarive bankare tek Vllaznia për shkak se vazhdojnë seancat gjyqësore në gjykatën e lartë mes “Gea Sport”

dhe kuqebluve për një pretendim të Geas për 75 mijë euro që i detyrohet Vllaznia në kohën kur kishin presidencën për disa shpenzime të kryera dhe të palikujduara nga bashkia Shkodër.