Skuadra shkodrane është “hedhur në sulm” për të gjetur një sulmues dhe pista e huaj duket më kryesorja për momentin.

Pikërisht, për këtë arsye, në takimin e sotëm miqësor, ndaj Deçiç, trajneri Armando Cungu do të provojë 2 futbollistë të huaj, që kanë ardhur për të bindur stafin teknik të Vllaznisë, për të firmosur më pas kontratën me drejtuesit e klubit. Nga këto tre emra, vetëm njëri është i ditur se kush është: serbo-boshnjaku Damir Rovçanin, që ndodhet prej dy ditësh në Ulqin me skuadrën. Për tjetrin nuk ka shumë informacion. Mësohet vetëm se është po nga Serbia, por nuk dihet se kush dhe me çfarë skuadre ka luajtur. Ai duhet të ketë mbërritur mbrëmë vonë në kampingun shkodran. Nëse nuk bind asnjëri nga këta dy sulmues, që do të testohen sot, një pistë e hapur për drejtuesit e Vllaznisë, për të plotësuar repartin e sulmit, është edhe tiranasi Mario Morina. Menaxheri i lojtarit ka kontaktuar me pjestarët e stafit teknik, por pa arritur një përfundim. Kuqeblutë nuk duken aspak të interesuar për lojtarë si Bylykbashi apo Meto, ndërkohë që edhe për Tafilin çështja është pezull, sepse futbollisti është pjesë e Partizanit dhe nuk e ka vendosur nëse do të largohet prej tij apo jo. Po ashtu, edhe për Krujën nuk ka asgjë zyrtare deri në këto momente. Për të gjitha këto arsye, merkatoja e kuqebluve është ende pezull. I vetmi futbollist, zyrtarisht pjesë e Vllaznisë, është Endri Vrapi. Për të tjerët ka më shumë fjalë sesa realitet, fjalë që dalin kryesisht nga menaxherë të ndryshëm. Drejtuesit shkodranë e kanë bërë të qartë objektivin e tyre të mbetur të merkatos: Gjetja e një sulmuesi cilësor dhe mbase edhe e një mesfushori.

Artikulli paraprak1 % E POPULLSISË, ZOTËRON PASURI SA PJESA TJETËR
Artikulli tjetër“BESIMI FETAR DHE FAMILJA, SI NJË RRUGËTIM”