Vllaznia në ndeshjen ndaj Partizanit që do të luaj të hënen në ora 19:00 në stadiumin e Elbasanit pritet që të mos ketë asnjë ndryshim në formacionin bazë.

Nga sa mësohet në stërvitjen e fundit përpara nisjes drejt Elbasanit trajneri i kuqebluve Armando Cungu u ka besuar të njëjtëve lojtar që e nisën nga minuta e parë në përballjen me Kukësin. Kështu në portë nuk ka asnjë dyshim se do jetë malazezi Agoviç. Edhe mbrojtja nuk ka ndryshime teksa në të djathtë do luaj Olsi Gocaj e më pas dyshja e qendrës Cicmil dhe Bicaj ndërsa në të majtë Antonio Marku. Cungu do t’i besojë edhe mesfushës që përbëhet nga Ylli Hoxha në të majtë, Tafili dhe Bardulla në qendër dhe kapiteni Shtubina në të majtë të mesfushës. Në majë të sulmit për të rrezikuar ndaj Partizanit pritet që të jetë sërish Brunild Pepa. Kjo 11-she u paraqit pozitivisht në sfidën ndaj Kukësit ku Vllaznia barazoi 0-0. Megjithatë gjatë ndeshjes, në varësi edhe të lojës dhe rezultatit mund të aktivizohen edhe futbollistë të tjerë. Kroati Ëeitzer por edhe dy të rinjtë Vecaj e Hebaj janë lojtarë të cilët në minutat që u aktivizuan ndaj kuksianëve justifikuan besimin e stafit teknik. Megjithatë Cungu po mendon të gjitha skemat dhe mënyrat e lojës të mundshme për t’i marrë pikë Partizanit dhe për ta vënë në vështirësi. Natyrisht që një vëmendje më e madhe do i kushtohet lojës në mbrojtje për të shfrytëzuar më pas ndonjë dalje të shpejtë përmes kundërsulmit. Edhe sezonin e kaluar Vllaznia ka vënë në vështirësi Partizanin duke arritur që ta ndalë në momente decisive, gjë të cilën synon ta bëjë sërish edhe në këtë përballje mes tyre.

Artikulli paraprak11/09, 15 VITE NGA SULMET NDAJ KULLAVE BINJAKE
Artikulli tjetërMALËSI E MADHE, PROBLEM PAJISJA ME TEKSTE SHKOLLORE