Matko Djarmati është prezantuar edhe zyrtarisht si drejtori i ri teknik i Vllaznisë duke zëvendësuar kështu turkun Engin Firat. Sponsori i Vllaznisë Alban Xhaferri deklaroi se binjakëzimi me klubin kroat të Rijekës ka sjellë Djarmatin si drejtor sportive. Xhaferri nuk tërhiqet nga objektivat e sezonit të ardhshëm për Kupat e Europës edhe pse Vllaznia prej 8 vitesh luan vetëm kartën e mbijetesës.

Drejtori i ri sportive Matko Djarmati thotë se me ardhjen në Shkodër i është rrotulluar jeta 360 gradë. Që në prezantimin e parë Djarmati ka një mesazh të qartë duke thënë se tek Vllaznia nuk është përmes klaneve por si propozim i klubit kroat të Rijekës.

Vllaznia në gjithë këto vite ka tentuar që të bëjë shumë binjakëzime duke gjetur disa herë edhe emra të mëdhenj klubesh por deri më tani kanë dështuar. Drejtori Djarmati thotë se binjakëzimi i Vllaznisë me Rijekën do të jetë ndryshe dhe pret një përgjigje përfundimtare nga bordi i klubit kroat.

Matko Djarmati pranon se nuk e disponon liçensën që nevojitet për të ushtruar funksionin e drejtorit teknik por sipas tij në Federatë i kanë thënë se mund ta mbajë këtë post edhe duke patur liçensën UEFA PRO që në fakt është për trajner.

Matko Djarmati është një kroato shqiptar, ish futbollist i Dinamos dhe vitet e fundit ka bërë edhe rolin e menaxherit dhe opinionistit duke ardhur tashmë si drejtor teknik i Vllaznisë.