Pas Adnan Haxhajt, që ka firmosur dy ditë më parë, Vllaznia ka ndër mend të marrë edhe të paktën dy apo tre futbollistë të tjerë kosovarë. Idetë e stafit teknik kuqeblu janë të qarta për të plotësuar skuadrën me lojtarët e duhur. Dhe përforcimet pritet të bëhen në të tre repartet.   Duke nisur nga mbrojtja, ku natyrisht ka bisedime të hapura me një tjetër futbollist kosovar, por që luan aktualisht në Shqipëri. Për të vazhduar me mesfushën, ku emri që zbulojmë është ai i Qemail Elshanit.

Drejtuesit e Vllaznisë kanë kohë që komunikojnë me këtë futbollist dhe thuhet se kanë arritur akordin. Megjithatë, ai ka patur një ofertë nga Turqia, e cila e ka tunduar më shumë dhe prandaj 24 vjeçari, që sezonin e fundit ka luajtur me ekipin e Drenicës, ka preferuar më parë të shohë këtë mundësi dhe ka udhëtuar drejt Turqisë për të biseduar me klubin që e ka kërkuar. Nëse gjërat nuk i shkojnë ashtu si duhet, Elshani është e sigurtë që do vijë te Vllaznia. Përveç tij, drejtuesit shkodranë po presin edhe përgjigjen e një tjetër futbollisti kosovar, këtë herë sulmues. Ai në fazën e dytë të sezonit të fundit thuhet se ka luajtur në Hungari dhe tani po kërkon një tjetër përvojë në Shqipëri. Vllaznia është e gatshme t’ia ofrojë megjithatë duhet edhe pak ditë. Trajneri Zmijani dhe administratori Kalamishi e kanë thënë hapur se presin edhe 3-4 futbollistë, në mënyrë që skuadra të kompletohet. Tre janë kosovarë, ndërkohë që ka bisedime edhe me një futbollist të kampionatit shqiptar dhe mbase fundi i kësaj jave do jetë përcaktues edhe për të.

PUBLICITET