Liga Profesionist e Futbollit në Shqipëri zhvilloi një mbledhje në Tiranë ndërsa përfaqësues i klubit Vllaznia ishte sponsori Alban Xhaferri i cili shihet duke hyrë në këtë mbledhje. Në fakt përfaqësimi i klubit Vllaznia nga një sponsor i thjeshtë është totalisht i jashtëligjshëm. Në të tilla takime klubin mund ta përfaqësojë vetëm administratori ose kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi.

Është e pakuptimtë se me çfarë tagri klubi Vllaznia lejon që Alban Xhaferri të shkojë dhe të përfaqësojë klubin. Vendimarrja për të bojkotuar ose jo kampionatin është tejet e rëndësishme ashtu siç edhe çdo vendim tjetër që mund të merret në Ligën Profesioniste. Fakti që Xhaferri merr pjesë në një mbledhje me një peshë të madhe është jashtë çdo rregulli dhe kjo e zhvesh atë nga çdo lloj përgjegjësie edhe në rast se propozimet e sponsorit Xhaferri nuk shkojnë përshtat ideve që ka klubi Vllaznia.

Alban Xhaferri është thjeshtë një sponsor i cili sipas ligjit të sh.a-ve nuk ka aspak të drejtë të ketë asnjë lloj vendimarrje siç ka bërë deri më tani.Sponsori Xhaferri e shet veten si një President i Vllaznisë në një kohë kur ka një rol krejt tjetër atë të sponsorit. Të drejtat që ka Xhaferri është vetëm që të hedhë paratë sipas kontratës që ka me bashkinë Shkodër por jo të jetë pjesë e vendimeve të rëndësishme.

Deri më tani Alban Xhaferri ka shpenzuar zyrtarisht 56 milion lekë të vjetër në bazë të faturave në një kohë kur sipas kontratës me bashkinë Shkodër shuma që ai duhet të shpenzojë është deri në 200 milion lekë të vjetër. Kanë mbetur edhe 144 milionë lekë të vjetër ndërkohë që ende nuk është mbyllur merkato pa llogaritur që shpenzimet janë të konsiderueshme gjatë kampionatit i cili ende as nuk ka nisur.

Përveç anës ekonomike e cila është e paqartë se si do të zgjidhet në vazhdimësi sepse këto para normalisht nuk mund të mjaftojnë, problem mbetet fakti që Alban Xhaferri kërkon të marrë rolin e Presidentit duke bërë një shkelje të pastër të ligjit. Në rast se Xhaferri do të vijojë që të sillet si President i Vllaznisë dhe të marrë pjesë në mbledhje të tilla ku mund të vendoset fati i futbollit apo edhe i klubit kuqeblu nuk do të jetë aspak normale.