Futbollistët e Vllaznisë do të jenë pushim deri me 1 korrik.

Lojtarët dhe stafi kanë kohë edhe 8 ditë që të pushojnë sepse më pas pritet që t’i rikthehen normalitetit. Ky është vendimi që kanë marrë drejtuesit e klubit Vllaznia në bashkëpunim me stafin teknik të drejtuar nga trajneri Armando Cungu. Është parë e arsyeshme që në fillim të korrikut skuadra të mblidhet dhe të nisin përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Deri tani nuk kishte një datë të saktë se kur mund të niste stërvitje dhe tashmë është vendosur në fillim të muajit të ardhshëm. Synohet që përgatitjet të nisin më herët se sezonet e kaluara në mënyrë që Vllaznia të ketë një formë sa më optimale në nisjen e kampionatit për të marrë rezultate pozitive. Vitet e fundit kuqeblutë nuk e kanë nisur mirë për shkak të këtyre problemeve, nisjes të përgatitjeve me vonesë apo edhe mungesës të fazave përgatitore ashtu siç duhet. Tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe jo vetëm se stërvitje do jetë në kohën e duhur por edhe faza përgatitore pritet që të jetë tërësisht serioze dhe në një vend optimal për stafin teknik dhe vetë futbollistët. Ende nuk ka një ide të qartë por burime pranë Vllaznisë bëjnë me dije se mund të jetë një prej vendeve të rajonit. Nga ana tjetër drejtuesit e klubit vijojnë bisedat me futbollistë të ndryshëm shqiptar dhe të huaj që kanë luajtur në superligë dhe që njihen për vlerat dhe kualitetet e tyre. Në ditët në vijim pritet që të shihet se si do të marrë formë Vllaznia për sezonin e ardhshëm.