Tek Vllaznia nuk po bëjnë ende asnjë lëvizje sa i përket ardhjes së lojtarëve ashtu siç ende mbetet jo i konfirmuar zyrtarisht trajneri edhe pse me shumë siguri do vijojë punën Ervis Kraja.

Pavarësisht kësaj drejtuesit e kuqebluve kanë nisur që të vihen në lëvizje për të ndryshuar diçka në kampin kuqeblu. Përpara se të shkohet tek formimi i skuadrës për sezonin e ri futbollistik, kuqeblutë po mendojnë për të sjellë administratorin e ri.

Astrit Gjyrezi dha dorëheqjen ndërsa në të njëjtën kohë bëri shkresat duke thirrur në mbledhje asamblenë e Vllaznia sh.a. Nga ana tjetër edhe publikisht është deklaruar së Këshilli Mbikqyrës ka pranuar dorëheqjen e Gjyrezit duke i hapur kështu rrugë emrit të ri që mund ta zëvendësojë.

Në këtë mënyrë gjatë 6 korrikut, këshilli mbikqyrës ka zhvilluar një takim jo zyrtar për të diskutuar mbi administratorin e ri. Në ato diskutime sipas burime kryetarja e bashkisë Voltana Ademi ka dhënë orientimet e saj për zhvillimet e reja që priten.

Në këtë mënyrë sipas burimeve tashmë është mësuar edhe emri që mund të marrë postin e administratorit. Burimet pranë drejtuesve të Vllaznisë bëjnë me dije se mund të jetë ish futbollisti i kuqebluve por edhe disa ekipeve tjera.

Është fjala për ish mbrojtësin Suad Lici. Ky i fundit përflitet prej kohësh por tashmë gjërat kanë avancuar dhe është më pranë marrjes së kësaj detyre të re për të. Pas lënies së futbollit Suad Lici qëndroi jashtë fushës së futbollit duke mos qenë aq aktiv dhe u përqëndrua në fushën e biznesit.

Tashmë pas shumë vitesh mund të rikthehet por kësaj radhe si drejtues. Ende nuk është gjetur akordi përfundimtar por pritet që Lici të emërohet këto ditë.

Në mbledhjen e këshillit mbikqyrës janë diskutuar edhe disa çështje të tjera problematike se si do të zgjidhen duke qenë se Vllaznia nuk është në ditë të vështira si nga ana sportive duke qenë në Kategorinë e Parë edhe nga ana ekonomike me detyrime financiare të mëdha.