Skuadra e 17 vjeçarëve e akademisë Vllaznia ka dështuar në ndeshjen finale ndaj ekipit të Shën Kollit. Lezhjanët arritën që të fitojnë 1-0 në përballjen me kuqeblutë duke fituar kështu titullin kampion për këtë vit. Në fakt objektivi i Vllaznisë në këtë përballje ishte fitimi i titullit kampion por nuk u arrit ky objektiv nga ana e skuadrës shkodrane duke pësuar këtë disfatë në përballjen finale.

Në fakt takimi ka qenë i balancuar mes të dy ekipeve deri në minutën e 77’ kur lezhjanët kalojnë në avantazh. Shima merr një top brenda zonës dhe e kontrollon bukur duke shmangur mbrojtësin dhe duke goditur saktësisht teksa kishin mbetur edhe 13’minuta lojë.

Pas disavantazhit Vllaznia përpiqet që të gjejë golin e barazimit por Shën Kolli tregohet i kujdesshëm në fazën mbrojtëse duke arritur që ta fitojë ndeshjen e për rrjedhojë të kurorëzohet edhe si ekipi kampion për 17 vjeçarët. Në fakt Shën Kolli me këtë trofe tregon se është një shembull shumë i mirë suksesi. Një ekip i krijuar vetëm 5 vite më parë arrin jo vetëm të shkojë në finale por edhe të shpallet fitues i trofeut.

Kjo tregon se historia apo fanela që mban veshur nuk ka aq rëndësi nëse në fushën e lojës nuk jep atë që duhet. Nga ana tjetër skuadra e 19 vjeçarëve e akademisë Vllaznia e ka mbyllur këtë sezon në vendin e 5-të me 26 pikë duke qenë pas Tiranës kryesuese, Interneacional Tirana, Shën Kollit dhe Laçit. Edhe 19 vjeçarët objektiv të tyre kanë patur fitimin e trofeut ose të paktën daljen në finale por nuk e kanë arritur një gjë të tillë duke u renditur në vend të 5-të.

Pavarësisht këtyre rezultateve që nuk janë të mira objektivi i akademisë Vllaznia por edhe akademive të tjera mbetet prodhimi i lojtarëve për ekipet e kategorisë Superiore. Një objektiv të tillë e kanë edhe kuqeblutë të cilët vazhdojnë të vujanë gjetjen e lojtarëve cilësor në merkato duke u detyruar që të firmosin me futbollistë pa i njohur fare të cilët largohen pas pak muajsh siç ndodhi edhe këtë sezon.