Paksa absurde po ky është realiteti. Ekipi i parë i Vllaznisë pas humbjes së sotme ndaj Partizanit thuajse “e ka prerë” biletën për në kategorinë e parë, ndërkohë që ai U-19 i po këtij klubi, sot ka siguruar një tjetër trofe.

Pas atij të Kupës së Shqipërisë të fituar dy muaj më parë, sot ka siguruar një tjetër trofe. Atë si “kampion i Veriut”. E ka bërë një gjë të tillë dy javë para përfundimit të fazës së tretë të kampionatit dhe duke qenë plot 8 pikë larg Partizanit të vendit të dytë, kuqeblutë ndjehen kampionë.

E kanë arritur këtë titull pas fitores së sotme 4-0 ndaj AAS në ndeshjen e luajtur në “Reshit Rusi”. Në pjesën e parë ka shënuar me 11-metërsh Uhejd Hoxha dhe me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë.

Në të dytën, dy herë rradhazi do të ishte Kamelio Palushani që do ta dërgonte topin në rrjetë, në minutat 56 dhe 66.

Por për ta mbyllur ndeshjen do të mendonte Brendon Stafa që do të shënonte golin e katërt dhe të fundit.

Vllaznia U-19 tashmë ka objektiv të fitojë edhe trofeun e tretë, atë kampion të Shqipërisë dhe duket në rrugë të mbarë për këtë gjë.