Që nga drama e rënies nga Kategoria tek skuadra e Vllaznisë mund të thuhet se të vetmet zhvillime kanë qënë largimet e lojtarëve, vlerësimi i KF Vllaznia në kuotën qesharake të 507 milion lekë të vjetra dhe mbledhja e Asamblesë e cila nuk bëri asgjë më shumë se një vrimë në ujë.

Persa i përket të ardhmes së skuadrës kuqeblu vijon të mbetët e turbullt pasi ekipi vijon të mbetët pa trajner. Të shumtë kanë qenë emrat që janë përmendur si alternative dhe favorit për marrjen e timonit të skuadrës shkodrane por deri më tani akoma nuk ka asnjë lëvizje.

Sa i përket lojtarëve, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë larguar duke mos dashur që karrierën e tyre ta vijojnë në kategorinë inferiore emra si Orelesi, Malota, Mersini, Kalaja, Çinari, Ribaj etj.

Por lista e largimeve duket se nuk do të ndalet me kaq pasi thuajse i larguar mund të quhet edhe Erjon Vucaj i cili duket se shumë shpejt do t’i bashkohet skuadrës së Luftëtarit për në Kupat e Europës.

Edhe portieri Erind Selimaj i cili në sezonin famkeq që lamë pas ka qëndruar thuajse në të gjitha ndeshjet në stol në një prononcim të tij është shprehur se ka marrë tre oferta nga Kosova dhe se po shqyrton hollësisht duke e menduar edhe kalimin e tij nga Shqipëria drejtë vendit fqinj.

Por si një problematikë mjaft e madhe për futbollistët e lartpërmendur të cilët vijojnë të jenë akoma nën kontratë më ekipin shkodranë është fakti se në KF Vllaznia pas dorëheqjes së administratorit Gjyrezi askush nuk është emëruar si pasardhës i tij në mbledhjen e Asamblesë.

Kështu në ditët ku tek skuadra e Vllaznisë do të duhej të flitej për emra të ndryshëm lojtarësh që mund të vijnë si përforcime apo edhe nisjen e stërvitjes për tu përgatitur për tu rikthyer në Superligë tek ekipi kuqeblu ka një heshtje totale.