Ditët kalojnë dhe përgjumja vijon të mbetet e njëjtë tek skuadra e Vllaznisë. Edhe pse nga sa flitej që shumë shpejt do të emërohej administratori I ri e më pas trajneri etj por deri më tani asgjë nuk ka ndodhur.

 

Në postin e administratorit ka qënë bordi I klubit që propozuan ish futbollistin Suad Lici I cili në një nga prononcimet e tij të bëra sëfundmi u shpreh se kishte dëshirë ta ndihmonte Vllazninë për të dal nga situata në të cilën ndodhet. Kjo të bënte të mendosh se Lici do ta pranonte marrjen e detyrës në këtë post por ama akoma nuk ka një përgjigje zyrtare në lidhje me këtë temë.

 

Ndërkohë tek skuadra kuqeblu janë të gjithë në pritje ku situata paraqitet aspak e pëlqyeshme sidomos për lojtarët të cilët nuk dinë se çfarë të bëjnë pasi në drejtim të tyre kanë pasur oferta të ndryshme për në skuadra si brenda dhe jashtë shqipërisë. Ata nuk e kanë të qartë nëse do të vijojnë që të jenë sërish pjesë e këtij ekipi pavarësisht se kanë kontrata me të.

 

Mësohet se janë në pritje të asaj që do të bëhet dhe pastaj do të shikojnë mbi të ardhmen e tyre. Në këtë mënyrë te Vllaznia janë në pritje për të emëruar administratorin e ri që më pas të nisë puna për të ndërtuar skuadrën. Por më 19 korrik në Shkodër do të zhvillohet edhe mbledhja e rradhës e Këshillit Bashkiak në të cilën pritet të miratohet edhe një fond për klubin e futbollit Vllaznia.

 

Thuhet se Bordi kërkon 1 miliard lekë por kjo shumë nuk ka shans të miratohet që tani. Ndoshta në dhjetor mund të ndodhë diçka e tillë por një pjesë e mirë e shumës do të shkojë për të shlyer borxhet pasi shpenzimet në Kategorinë e Parë pritet të ulen në mënyre drastike.

 

Tek ekipi kuqeblu aktualisht ka një numër të konsiderueshëm futbollistësh nën kontratë dhe baza do të jenë pikërisht ato por nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe ndonjë lëvizje tjetër si largime apo afrime lojtarësh.

 

Gjithçka do të vendoset edhe nga preferencat që do të ketë trajneri që do të emërohet në këtë detyrë megjithatë ajo që mbetet është detyrimi për ta rikthyer skuadrën në elitën e futbollit Shqiptarë sezonin e ardhshëm.