Ekipi i vllaznisë po vazhdon përgatitjet dhe stërvitjen intensive për në takimin e radhës ndaj Skënderbeut. E pavarësisht mungesave të mëdha për shkak kartonësh dhe dëmtimesh që do të ketë skuadra në këtë takim problemet vazhdojnë dhe i shoqërojnë shkodranët.

Një prej tyre ka qënë edhe kushtet atmosferike që ka detyruar kuqeblutë të mos zhvillojnë stërvitjen në “Reshit Rusi” por në një fushë sportive të mbyllur.

Ndërkohë ditën e premte kanë qënë prezent një pjesë e ekipit pasi sulmuesi Sukaj është me leje ndërsa disa lojtarë të tjerë janë të grumbulluar me ekipe kombëtare si Alen Sherri dhe Ardit Krymi.

Por problemet e dëmtimeve vazhdojnë të jenë prezente tek kuqeblutë ku është mesfushori Krymi ai i cili është dëmtuar në pragndeshjen e kombëtares U-21 ndaj Sllovakisë.

Edhe pse ky i fundit ishte menduar të ishte pjesë e formacionit në këtë takim ai është dëmtuar e për rrjedhojë nuk ka dalur në fushën e blertë në këtë ndeshje gjë që në fakt penalizon jo pak edhe Vllazninë.

21 vjeçari konsiderohet një pikë shumë e fortë për këtë skuadër dhe padyshim që duhet parë gjendja e tij tashmë deri në ndeshjen ndaj Skënderbeut. Shpresohet që dëmtimi i tij të mos jetë serioz sepse kjo do ta penalizonte shumë skuadrën kuqeblu.

Të mos harrojmë se në pozicionin ku luan Krymi, në qendër të mesfushës, është edhe Florind Bardulla i cili prej më shumë se një muaji është larg skuadrës si pasojë e një dëmtimi që ka patur.

Natyrisht që synimi i Vllaznisë është të fitojë në këtë takim të vështirë ndaj korçarëve. Por mendohet se gjatë këtyre ditëve mund të ketë edhe rikthime si Erjon Vucaj ku shpresohet që të rikuperohet sa më shpejt dhe të jetë gati deri në ditën kur edhe luhet ndeshja me Skënderbeun.

 

Artikulli paraprakINVALIDËT TË DISKRIMINUAR
Artikulli tjetërVOLEJBOLL, VLLAZNIA LË SHUMË PËR TË DËSHIRUAR