Vllaznia do të përballet më 28 qershor sërish me Teutën, ndeshje që këtë radhë do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” në qytetin e Shkodrës. Teuta e drejtuar nga trajneri shkodran Edi Martini është ekipi që eleminoi Vllazninë në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë duke marrë barazim në Shkodër dhe duke fituar në Durrës. Tashmë pas përballjes në Kupë kalendari i kampionatit i vë sërish përballë këto dy ekipe. Në prag të kësaj ndeshje klubi Vllaznia ka vendosur që të hesht.

Qoftë trajneri Hysen Dedja por edhe lojtarët kuqeblu kanë vendosur që të kyçin gojën në prag të kësaj përballje duke menduar se është një formë e cila largon presionin psikologjik nga ekipi. Në fakt kjo është hera e dytë që Vllaznia vepron në këtë mënyrë. Edhe në prag të ndeshjes së Kupës klubi Vllaznia zgjodhi heshtjen dhe tashmë një gjë të tillë kanë vendosur që ta përsërisin edhe në këtë sfidë të vlefshme për kampionat. Në fakt një metodë e tillë nuk është aspak normale aq më tepër në ndeshje kaq të rëndësishme të cilat mund të vendosin jo pak për vazhdimësinë e skuadrës.

Tifozët e kanë të pamundur që të vijnë në stadium për shkak se vijojnë të jenë të mbyllur si shkak i pandemisë së COVID-19 ndërsa duke shtuar edhe heshtjen përpara takimit i heq të drejtën e informimit por edhe lidhjes me tifozërinë dhe publikun e gjerë.

Trembja e klubit Vllaznia në prag të këtyre ndeshjeve nuk është një zgjidhje e aq më tepër edhe heshtja. Komunikimi është një detyrim për secilin klub që duhet respektuar në raport me publikun e gjerë. Vllaznia e cila ndodhet në një moment të vështirë me një krizë rezultatesh të njëpasnjëshme në Kupë dhe Kampionat nuk mund ta gjejë zgjidhjen apo zhbllokimin e këtij ngërçi duke heshtur përpara ndeshjeve që ka.