Maringlen Përgjini është shpallur fajtor për vrasjen e Maldin Shtjefnit, ngjarje e ndodhur në janarin e 2013-ës në Lezhë. Gjykata e Apelit në Shkodër dha vendimin e formës së prerë duke dënuar në total me 18 vite burg

Maringlen Përgjinin ndërsa Anton Toli u dënua me dy vite dhe Sergjio Prenga me 9 muaj, këto dy të fundit për veprën penale “moskallëzim krimi”. Apeli në Shkodër la të lirë Ergys Nikën i dyshuar edhe ai për “moskallëzim krimi”.

Vrasja në janarin e vitit 2013-të ndodhi në një lokal me muzikë në Lezhë. Viktima Maltin Shtjefni ishte në lokal bashkë me shokun e tij Sergjio Prenga ndërsa në një tavolinë tjetër ndodhej Ergys Nika, Anton Toli dhe disa

persona të tjerë. Ergysi dhe Maltini kanë bërë sherr për porosinë e një kënge, se cila duhej të këndohej më parë nga grupi muzikor. Pasi debati mes tyre është mbyllur në lokal ka mbërritur edhe Maringlen Përgjini. Viktima Maldin Shtjefni dhe shoku i tij Sergjio janë thirrur në tavolinën ku ndodhej autori i dënuar tashmë me 18 vite Maringlen Përgjini dhe Ergysi bashkë me disa të tjerë. Pasi janë bashkuar papritur Maldin Shtjefni është qëlluar me një plumb në ballë duke e lënë të vdekur në vend.
Fillimisht dëshmitë e dëshmitarëve kanë rënduar mbi Maringlen Përgjinin i cili qëndroi 16 ditë në kërkim policor. Më pas ngjarja është tentuar të ndryshohet.

Maringlen Përgjini akuzon Ergys Nikën si autor të vrasjes ndërsa Ergysi akuzon pikërisht Maringlenin.

Herën e parë gjykata e shkallës së parë në Lezhë e dënoi me 5 vite Maringlen Përgjinin për armëmbajtje dhe vrasje nga pakujdesia.

Me kërkesë të prokurorisë çështja u ridërgua për gjykim nga gjykata e apelit në Shkodër në gjykatën e Lezhës por herën e dytë Maringlen Përgjini u shpall i pafajshëm në 2016-ën.

Pasi çështja erdhi për herë të dytë në gjykatën e apelit në Shkodër, prokurori i apelit Elvin Bogaj rindërtoi thuajse këtë ngjarje duke arritur në konkluzionet përfundimtare dhe duke kërkuar 20 vite burg për Maringlen Përgjinin si autor i dyshuar i vrasjes.

Avokati mbrojtës i Përgjinit, Ferit Muça akuzoi prokurorin e apelit se ka shtrembëruar dosjen ndërsa deklaroi se në bazë të përgjimeve në bisedat e dëshmitarëve dhe të afërmve të të pandehurve rezulton se autor i vrasjes është shtetasi Ergys Nika.

Petrit Mhillaj, avokati që mbrojti Ergys Nikën tha se kleinti i tij nuk është autor i vrasjes sepse siç thonë dëshmitarët nuk ka patur fare armë dhe se arma ka qenë e Maringlenit.

Nga ana tjetër avokati i viktimës Idajet Beqiri tha se është dakord me prokurorin e apelit dhe se Maringlen Përgjini në bazë të të gjitha dëshmive të dëshmitarëve pas vrasjes është autori që kreu krimin duke qëlluar me plumb në ballë Maldin Shtjefnin.

Prokurori i apelit në Shkodër Elvin Bogaj nuk u shpreh ndërsa u mjaftua me dosjen e paraqitur dhe arsyetimet përkatëse duke kërkuar 20 vite burg për Maringlen Përgjinin.

Në fund trupi gjykues me kryesues Vojsava Osmanaj dhe anëtar Astrit Kalaja dhe Marina Rraboshta vendosi dënimin në total me 18 vite burg për Maringlen Përgjinin.

Ky i fundit më përpara ka goditur në Lezhë prokurorin Ervin Beqiri ndërsa ndodhej në burg. Më pas është kapur edhe me një sasi droge në burgun e Burrelit. Pas 6 vitesh vjen vendimi i formës së prerë për këtë ngjarje të rëndë ku mbeti i vrarë Maldin Shtjefni.

PUBLICITET