Vllaznia në volejboll për femra ka humbur ndeshjen e parë të fazës Play Off me Partizanit. Vajzat shkodrane u mundën 0-3 në përballjen e luajtur në Tiranë ndaj të kuqve. Në fakt pritej që të ishte një ndeshje e fortë mes Partizanit dhe Vllaznisë por kryeqytetaset nuk e kanë patur të vështirë që të marrin këtë fitore të parë në fazën Play Off ndaj ekipit shkodran.

Vllaznia nuk arriti që të shfaq vetveten në këtë ndeshje edhe pse javët e fundit ka patur një ecuri tejet pozitive me fitore të rëndësishme në kampionat. Në setin e parë loja mes dy ekipeve është e balancuar por në fund Partizani krijon një diferencë dhe e fiton setin e parë 25-19.

Vllaznia tregon edhe në setin e dytë se nuk është skuadra e javëve të fundit duke patur luhatje. Partizani përfiton nga kjo gjendje jo e mirë e Vllaznisë ndërsa në setin e dytë fiton me një diferencë prej 13 pikësh në shifrat 25-12.

Vajzat kryeqytetase tashmë nuk diskutojnë as setin e tretë duke e fituar 25-14 ndaj një Vllaznia e cila është tërësisht e dorëzuar përballë kundërshtarit. Gjatë këtij takimi nuk munguan as momentet e tensionit nga ana e dy trajnerëve . Me këtë fitore natyrshëm që Partizani është një hap përpara Vllaznisë sa i përket kalimit në gjysmëfinale.

Pavarësisht kësaj vajzat shkodrane në ndeshjen e kthimit që do të kenë pas një jave do të tentojnë që të marrin një fitore ndaj Partizanit për të barazuar në 1-1 ndeshjet.

Në rast të një fitoreja të Vllaznisë atëherë kualifikimin në gjysmëfinale e vendos ndeshja e tretë e cila duhet që të luhet në Tiranë. Ekipi kuqeblu do të tentojë në një fitore në sfidën e dytë ndaj skuadrës kryeqytetase duke shfrytëzuar edhe mbështetjen e publikut në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në qytetin e Shkodrës.