Vllaznia në volejboll për femra pothuajse është një skuadër që është shpërbërë totalisht. Pesë volejbolliste të këtij ekipi i kanë dhënë lamtumirën Vllaznisë duke firmosur për dy ekipe të tjera. Problemet e krijuara mes trajnerëve të kuqebluve por edhe me bashkinë Shkodër kanë bërë që lojtaret të mos durojnë më dhe të largohen në skuadra të tjera.

Ndërkohë që nga Vllaznia është larguar edhe trajneri Besnik Lisha i cili po ashtu është pjesë e një ekipi tjetër. Trajneri Lisha i cili erdhi me disa ide të mëdha duke lënë Amerikën ku jetonte prej vitesh për Vllazninë pas përplasjeve në skuadër brenda stafit teknik ka vendosur që të mos ketë më këtë stres duke zgjedhur që të jetë pjesë e Skenderbeut për sezonin e ardhshëm.

Mesa duket tekniku Lisha idenë dhe projektin e tij për të ndërtuar një skuadër pretendente që brenda një kohe të shkurtër mund të sillte titullin kampion për të vijuar me pretendime edhe në kompeticione europiane e ka zhvendosur në Korçë tek ekipi i Skenderbeut me të cilin ka gjetur akordin. Trajneri Lisha nuk ka kohë për të humbur dhe për të pritur në Shkodër bashkinë se si do ta zgjidh çështjen e trajnerit duke gjetur qetësinë dhe gjithçka tjetër në Korçë.

Ndërkohë tashmë tek Skenderbeu janë larguar edhe tri volejbolliste të Vllaznisë nga pesë në total që nuk do jenë më pjesë e kuqebluve. Kështu sipas burimeve me Skenderbeun sezonin e ardhshëm do të luaj Klavia Petëza e cila më përpara mbante shiritin e kapitenes tek Vllaznia. Petëza nuk është e vetmja sepse me Skenderbeun ka firmosur edhe lojtarja libero që ishte pjesë e Vllaznisë Stela Kiri. Ndërkohë në Korçë sezonin e ardhshëm do të jetë edhe Leda Preçetaj.

Një treshe volejbollistesh shkodrane që bashkë me trajnerin Besnik Lisha duket se do të bëjnë që Skenderbeu të jetë një ekip ndryshe dhe me pretendime shumë më të mëdha se sezonet e kaluara. Ndërkohë nga Vllaznia janë larguar edhe lojtaret Xhesika Kaçi dhe Antoneta Molla që kanë firmosur për Barleti Volej. Në këtë mënyrë deri më tani janë pesë volejbolliste nga Vllaznia dhe trajneri Lisha duke e boshatisur ekipin kuqeblu.

Tashmë nuk dihet se cila do të jetë zgjidhja për Vllazninë sa i përket volejbollisteve për të plotësuar lojtaret e larguara por me shumë gjasa mund të jenë volejbolliste me një moshë tejet të re dhe pa asnjë eksperiencë duke mos patur kështu asnjë pretendim ndryshe nga më përpara.

Kjo shpërbërje e Vllaznisë natyrshëm që është një humbje jo e vogël për volejbollin shkodran pas shumë vitesh përpjekje për ta sjellë deri në këtë pikë dhe tani kur shpresat ishin të mëdha, skuadra shpërbëhet.

Artikulli paraprakSHQIPËRIA VENDI I PARË NE RAJON ME RISK TË LARTË PËR PASTRIMIN E PARAVE! INDEKSI I BASELIT: RENDITET NË VENDIN E 44-T, PAS TURQISË
Artikulli tjetërINDEKSI I BAZELIT: SHQIPËRIA E DYTA PËR PASTRIM PARASH