Vllaznia në volejboll për meshkuj është rikthyer tek fitoret sërish pavarësisht problemeve që prej kohësh e shoqërojnë këtë ekip. Pasditen e së shtunës ato kanë fituar me rezultatin 3-2 ndaj Tiranës në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Ka qenë një lojë e fortë e të dy ekipeve dhe jo më kot ndeshja ka shkuar me set final. Seti i parë është fituar nga kuqeblutë me shifrat 25-18 ndërsa Tirana fiton të dytin 25-23 duke barazuar numrin e seteve.

Shkodranët janë rikthyer përsëri në udheheqje të rezultatit teksa fitojnë setin e tretë 25-21. Me të njejtat shifra do ishin bardheblutë që do fitonin setin e katërt duke e çuar ndeshjen me set final.

Në këtë të fundit, Vllaznia luan më mirë dhe e fiton atë 15-8 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 3-2. Një fitore e cila tregon se ekipi shkodran mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari dhe pretendimet e këtij ekipi nuk do të ndalen vetëm me sigurimin e daljes në play- off.